Hetimi ndaj Skënderbeut, kërcënohen me vdekje inspektorët e UEFA-s

16.02.2018 17:49:40

UEFA ka reaguar sot zyrtarisht për çështjen e hetimit të Skënderbeut, duke treguar një detaj shumë të rëndë. Në njoftimin zyrtar, shkruhet se inspektorët e disiplinës janë këcënuar me vdekje për këto hetime dhe se çështja i është referuar policisë.

Sipas një njoftimi për shtyp të organizmit të lartë europian të futbollit, mësohet se “inspektorët e Disiplinës që po merren me çështjen kanë marrë kërcënime anonime me vdekje, të cilat prezumohet se kanë si qëllim të frikësojnë ata dhe t’i ndalojnë të kryejnë punën e tyre. Këto kërcënime nuk do t’ia dalin dhe policia është informuar gjithashtu”.

UEFA thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar për të luftuar kundër manipulimeve dhe i gjithë stafi i UEFA-s që punon në këto çështje thelbësore kanë mbështetjen e plotë të organizatës.

Ky mesazh u përsërit sot nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin i cili deklaroi:

“Në nuk do të lejojmë asnjëherë që stafi i UEFA-s që punon në këto çështje, apo çështje të tjera, të bëhet subjekt i kërcënimeve apo kanosjes nga palë të treta. Ata kanë mbështetjen e plotë të organizatës, përfshirë edhe mbështetjen 100% nga unë”.

UEFA aktualisht po zhvillon një hetim rreth përfshirjes të klubit shqiptar KF Skënderbeu në manipulimin e ndeshjeve.

KF Skënderbeu ishte ndaluar më parë nga pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s për sezonin 2016/17 si rrjedhojë e përfshirjes në manipulime. Ky dënim u mbajt në fuqi nga Gjykata e Arbitrazhit për Sportin.

Informacione shtesë të siguruara nëpërmjet UEFA BFDS tani sugjerojnë për një skemë më të gjerë përfshirjeje nga KF Skënderbeu në manipulimin e ndeshjeve. Si rrjedhojë, UEFA tani do të kërkojë një dënim më të gjatë për klubin.