Hidratimi tek fëmijët: rreziqet nëse nuk pijnë ujë mjaftueshëm!

30.05.2019 11:51:48

Uji është thelbësor

Trupi i njeriut është i përbërë kryesisht nga uji. Në të vërtetë, është një element i domosdoshëm për jetën: transporton lëndët ushqyese dhe kripërat minerale, ndihmon qarkullimin e gjakut, eliminon mbeturinat dhe toksinat, stimulon rinovimin e qelizave dhe reagimet kimike, dhe këto janë vetëm funksionet kryesore. Kjo është arsyeja përse në trup qarkullojnë 40 deri në 50 litra ujë, që përfaqëson 75% të peshës trupore tek të porsalindurit, 60% të peshës trupore tek të rriturit dhe 50% tek personat e moshuar.

Tek fëmijët edhe më thelbësor

Uji merr një rol edhe më të rëndësishëm tek fëmijët. Është, në fakt, themelor për mirëqenien e tyre dhe zhvillimin psiko-fizik. Në veçanti, ky është një element i domosdoshëm për funksionet e trurit dhe intelektit. Vetëm me një dehidratim të moderuar, ose me një humbje prej rreth 2% të peshës trupore, përjetojmë dhimbje koke dhe lodhje, të cilat mund të shoqërohen me përqendrim të reduktuar, memorie afatshkurtër dhe madje performancë të ulët tek detyrat më të thjeshta.

5 këshilla për prindërit

T’i bëni fëmijët që të ndjekin një hidratim në mënyrë të rregullt është disi e vështirë, pasi tek fëmijët stimulimi i etjes është më pak i zhvilluar se tek të rriturit dhe shpesh të vegjlit preferojnë të pijnë pije të ndryshme nga uji. Pra si të sigurohemi se ata do të pijnë mjaftueshëm lëngje?

Ja disa nga këshillat e ekspertëve:

Sigurohuni që fëmija gjithmonë të ketë një shishe me ujë me vete dhe në fund të ditës kontrolloni se sa ka pirë;

Vendosni një gotë plot me ujë në tavolinën më të afërt në mënyrë që fëmija, të mund të pijë si gjatë lojës, ashtu edhe gjatë natës;

Organizoni lojëra që përfshijnë përdorimin e ujit dhe ndihmoni fëmijën të kuptojë se sa i rëndësishëm është ky burim për rritjen e tij;

Shoqërojeni duke pirë ju vetë ujë në momente të caktuara të ditës, për shembull para se të shkojnë në shkollë, pas një vakti etj, duke siguruar kështu që edhe ai të ketë dëshirën për të pirë në mënyrë që të hidratohet gjatë ditës;

Përdorni shishe me ngjyrë, paksa të veçanta për të nxitur interesin e fëmijëve dhe për t’i bërë ata të pijnë më shpesh ujë.