Himara pushtohet nga parulla raciste: Tokë greke, Kacifas i pavdekshëm!

10.07.2019 10:01:07

Thirrje raciste dhe parulla në gjuhën greke kanë pushtuar kalanë e Himarës. Në mure shkruhet se Himara është tokë greke apo edhe lavde mbi minoritarin grek të vrarë në Bularat, Konstandinos Kacifas.

“Himara tokë greke që prej 1914” apo edhe “Kacifas i pavdekshëm”, janë disa prej shkrimeve në muret e Kalasë.

Ato u publikuan në rrjetet sociale nga aktori i njohur i Portokallisë, Florian Binaj, i cili shkruan se askush nuk ka reaguar për parullat të cilat janë bërë në kulmin e sezonit turistik.

“Një turp i madh që në mes të sezonit turistik, askush nuk bën asgjë për të fshirë këto shkrime ofenduese si : Himara është Greqi dhe Epir, në muret e kalasë së Himarës…Ministria e Turizmit si je? Nëse shkrime të tilla do bëheshin në Greqi do quhej incident diplomatik…kur bëhen në Shqipëri quhet sezon turistik…TURP!” shkruan Binaj në Facebook.