Historia anarkiste që filloi më 2015 dhe që synon përmbysjen e shtetit

03.01.2017 16:07:11

Nga Rexhep Kastrati

Viti 2016 ishte viti i dytë në Kosovën e pasluftës që u shqua për dhunën kundër shtetit nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, nga rekrutë shqiptarë agjenturash kundërshqiptare dhe nga struktura mafiozo-politike që në bashkërendim të plotë dinamizuan veprimet e dhunshme, bllokimin e Kuvendit dhe thirrjet për luftë brendashqiptare. Këto ishin vetëm vazhdim i veprimeve dhe angazhimeve të tilla që filluan që në fillim të punës së Qeverisë aktuale para dy vitesh, e që kishin për qëllim rrëzimin i saj dhe të shtetit në përgjithësi. E tëra filloi në bazë të një provokimi të qëllimshëm të Aleksandër Jabllanoviqit më 2015 ndaj nënave gjakovare, e që u pasua me krahasimin që Aleksandër Vulin ia bëri Kosovës me Sirinë. Pra, viti 2016, në këtë drejtim ishte vetëm vazhdim i zbatimit të skenarëve të Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e Kosovës, e nëpërmjet saj, edhe destabilizimin e rajonit, me qëllim të  ndryshimit të kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve.

Një ngjarje tjetër, por që lidhet me ato që thashë më lartë, është edhe incidenti në Kumanovë, mbrapa të cilit fshiheshin qëllime të shumta që nga destabilzimi i rajonit, e deri te eliminimi i personave të caktuar që mund të kishin informacion për strukturat mafiozo-politike shqiptare dhe për lidhjet e tyre me agjentura kundërshqiptare. Disa djem që u frymëzuan me qëllim që t’u dalin zot të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, u tradhtuan dhe u bënë viktimë e bashkëpunimit të strukturave mafiozo-politike shqiptare me agjentura kundërshqiptare, përfshirë edhe atë të Maqedonisë.

Një nga arsyet pse ndodhi incidenti në Kumanovë, kishte të bënte me Gjykatën speciale, pasi që kishte një angazhim të plotë të strukturave mafiozo-politike të Kosovës, por edhe agjentura kundërshqiptare, dhe destabilizimi i rajonit ishte një mundësi për të penguar miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të mundësonin themelmin e saj nga Kuvendi i Kosovës. Alternativë tjetër ishte që këtë Gjykatë ta themelonte OKB në bazë të rezolutës 1244. Prandaj, Serbia dhe Rusia ishin të interesuara që të dështonte themelimi i nga Kuvendi i Kosovës.

Një tjetër sfidë që ishte në funksion të destabilizimit të Kosovës dhe të rajonit, ishte edhe zgjedhja e presidentit të vendit, e cila kishte për qëllim që të përmbyste institucionet e shtetit dhe të pengonte themelimin e Gjykatës speciale, si dhe të hapte rrugë për zhvillime të rrezikshme për vendin dhe për rajonin. Në fakt, pengesat kishin qendrën në vetë PDK-në, e cila nuk ishte e gatshme të ballafaqohej me Gjykatën speciale, por edhe të pranonte se nuk kishte në dorë Qeverinë e vendit, pra nuk e drejtonte atë. E shtrënguar për të bërë koalicion me LDK-në dhe për më tepër që drejtimin i Qeverisë t’ia jepte asaj, PDK nuk la gjë pa bërë për të penguar mbarëvajtjen e saj. Dhe për këtë përdori krijesën e saj: sektën okulte të Albinit, e cila ishte shpërfaqje e agresivitetit dhe destruksionit që vetë PDK kishte në fillimet e saj, madje ia kaloi edhe kësaj. Pjesë e angazhimeve të tilla ishin bërë edhe bishtat e linjës së Tiranës/Kretës: AAK dhe Nisma, me shpresën se më rënien e kësaj Qeverie do të hapej rruga për një koalicion të tyre me PDK-në. Në fakt, kundër kësaj Qeverie që drejtohet nga kryeministri Mustafa pat një mobilizim të plotë politik e medietik, përfshirë edhe veglat kondomë brenda e rreth LDK-së, të cilat ashiqare kërkonin dhe bënin gjithçka për ta rrëzuar Qeverinë dhe për ta çuar vendin në kaos. Edhe pse me një retorikë të fortë kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, këta ishin vegla dhe të kontrolluara nga ta. Vetëm armiqtë e Kosovës, pra vetëm Serbia, Rusia dhe shtete të tilla kundërshqiptare ishin dhe janë të interesuara për rrëzimin e Qeverisë, sepse në kët mënyrë i hapej rruga destabilizimit dhe rënies së shtetit, dhe këto do t’i hapnin rrugën ndryshimeve të kufijve në rajon. Në këtë kontekst, angazhimet për të penguar zgjedhjen e HashimThaçit president, nuk kishte të bënte me të, se ata që e kundërshtonin deklarativisht këtë, nuk e kishin fare problem që ta pranonin kryeministër. Por, kauza për pengimin e zgjedhjes së tij president lidhej pikërisht me mundësinë që jepte si kauzë sidomos te kuvendarët e LDK-së, te strukturat e saj dhe te mbështetësit e saj, sepse mjaftonte të deklaroheshe apo të shkruaje kundër, dhe të konsideroheshe rugovist dhe mbrojtës së çështjes së të vrarëve politikë, por që në fakt pikërisht bëhej e kundërta: pengimi i zgjedhjes së Hashim Thaçit president, do të rrëzonte shtetin dhe do t’u hapte rrugë zhvillimeve të rrezikshme që as në rend dite nuk do të kishin çështjen e viktimave të dhunës politike, si dhe do të rikthente fuqishëm PDK-në në pushtet, dhe do të fuqizonte kapjen e shtetit. E Hashim Thaçi nuk zgjedhej president për merita, as për burrëri, por për shkak se ishte partia e parë në zgjedhje dhe nuk mund të anashkalohej. Dhe ajo që iu bë ishte marrja e pushtetit, sepse si president dhe si kryetar Kuvendi, dy njerëzit më të përfolur, nuk kishin ndonjë pushtet. Dhe dëshira për rikthim ishte dhe ka mbetur e madhe. Dhe kjo çështje u bë çështja kryesore që ndërlidhte të gjitha çështjet tjera: Gjykatën speciale, stabiliteti i vendit, qëndrueshmëria e institucioneve dhe proceset e rëndësishme të vendit.

Çështje tjera që u keqpërdorën gjatë vitit 2016 ishin edhe Asociacioni dhe Demarkacioni me Malin e Zi, që si çështje ishin trashëguar nga mandati i kaluar, pasi që çështja e Asociacionit ishte vendosur më 19 prill 2013, përkatësisht me Marrëveshjen e Parë, dhe për të ishte negociuar gjatë kohë, si dhe ishte pasuar me negociata të tjera edhe për vite të tëra. Për më tepër edhe ishte bërë pjesë e legjislacionit të vendit. Edhe demarkacioni me Malin e Zi ishte negociuar vite të tëra, dhe nuk ishte shoqëruar me shqetësime të tilla çfarë janë shprehur. Në fakt, as për Asociacionin, as për demarkacionin nuk ishte shprehur më parë ndonjë shqetësim për të thënë. Prandaj, ishte e qartë se përdoreshin vetëm pretekste për të përmbysur institucionet e shtetit dhe për të rrëzuar vetë shtetin. Këtë e kishin pohuar m vonë edhe drejtues të AAK-së, teksa kishin filluar një debat me sektën okulte të Albinit.

Një çështje tjetër që bëri bujë dhe që u provua të keqpërdorej për qëllime të qarta kundër shtetit, pra për ta përmbysur atë, ishte vdekja e Astrit Deharit në burg, një të riu idealist, por që ishte bërë pjesë e sektës okulte të Albinit me iluzionin se ishte mekanizmi për të përmirësuar gjendjen. Vdekja e tij që u shoqërua me qëndrime kundërthënëse, me rrena e manipulime, u trajtua si vrasje nga shteti, ndërkohë që nuk u dha asnjë element për ta besuar se është ashtu. Një raport mjeko-ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës thoshte se Astriti kishte vdekur nga asfiksia me mjet të fortë, kurse lëndimet ishin vetëshkaktuar, që bashkë me hetimet e bëra në vendin e ngjarjes, rreth tij dhe nga pamjet filmike, kishin dëshmuar se ai kishte vrarë veten. Një raport tjetër, i paralajmëruar nga Tomë Gashi si raport i ekspertëve të familjes, nuk u bë i plotë, por vetëm faqja e parë dhe e fundit, duke shtuar dyshimet se ishte manipuluar, aq më tepër se nuk u bë publik nga ndonjëri nga mjekët, dhe pa praninë e familjarëve të Astritit, nuk shkrepi fare. Edhe pse të gjitha të dhënat janë se Astriti ka vrarë veten, janë të rëndësishme shkaqet që e shtynë atë të bënte këtë. Dhe këto shkaqe duhet t’i bëjë të qarta Albini dhe sekta e tij, por edhe të tjerë që janë të implikuar në zhvillime të tjera të dëmshme.

Fundviti solli në skenë edhe një herë Aleksandër Vulinin, i cili nuk e fshehu fare se Qeveria e Kosovës duhet të rrëzohet. Në këtë mënyrë, u bë e qartë se qendra e angazhimeve kundër Kosovës ishte në Beograd dhe të gjitha zhvillimet e dhunshme dhe destruktive kishin për qëllim ta bënin Kosovën si Sirinë. Dhe dalja në skenë e Vulinit ishte bërë në kontekst të Asociacionit dhe të murit që ishte bërë pikërisht si provokim ndaj shtetit të Kosovës. Deklarata e Gjuriqit sipas të cilit do të pritet deri më 15 shkurt që Asociacionin ta bëjë Prishtina, në të kundërtën do ta bëjë Beogradi, i cili do t’ia caktojë kompetencat atij Asociacioni, ishte e qartë se dëshmonte se Serbia nuk do Asociacion sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por do një “Republika Srpska”. Në këtë mënyrë u bë e qartë se gjithë zhvillimet destruktive në Kosovë dhe në rajon ishin zhvillime në bazë të skenarëve ukrainas serbo-rus për aneksimin e pjesëve t ndryshme të Kosovës. Kështu, tashmë të gjithë e kishin të qartë se mbrapa angazhimeve për përmbysjen e institucioneve dhe të shtetit të Kosovës, qëndronin qendrat serbo-ruse të vendosjes, kurse linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste vetëm zbatonin skenarët e tyre. Prandaj, edhe deklarata e parë nga sekta okulte e Albinit kishte të bënte me vazhdimin e aksioneve për ta ndalur këtë Qeveri, pra për ta rrëzuar atë. Aleksandër Vulin, linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, si dhe rekrutë të tjerë shqiptarë agjenturash kundërshqiptare, do të angazhohen fort për të rrëzuar Qeverinë dhe për të destabilizuar vendin.