Historia e disa prej viktimave të tërmetit në Itali

25.08.2016 16:31:19

Orët e para të mëngjesit të së mërkurës, të datës 26 gusht 2016 rezultuan fatale për disa komuna të Italisë Qendrore. Komunat e Amatriçes, Arkuanta Del Trontos, Peskara Del Trontos dhe të Akumolit u bënë hi dhe duken tanimë si vende fantazmë. Tërmeti i fortë prej 6 ballësh do merrte jetën e qindra personave. Ato më së shumti janë zënë poshtë nga rrënojat. Disa viktima janë identifikuar dhe është bërë publike edhe historia e jetës së tyre.

Shqiptari nga Fieri

Erjon Toro është një nga viktimat e shumta të tërmetit shkatërrimtar në Itali. Ai është i vetmi nga viktimat me origjinë shqiptare. Toro ishte nga Fieri. Ai ishte djalë i vetëm dhe kishte katër motra. Erjoni u zu nga rrënojat bashkë me dy vajzat e vogla dhe bashkëshorten. Burri humbi jetën, kurse anëtarët e tjerë të familjes së tij kanë shpëtuar.

Një spanjolle si vizitore

Ana Huete, 25 vjeçe me origjinë nga Granada e Spanjës, ishte e fejuar me një italian dhe kishte shkuar në zonën ku ra tërmeti, për të kaluar pushimet me djalin që dashuronte.

Djali 18-muajsh

Marisol Piermarini është djali 18-muajsh që ka shpëtuar gjallë nga tragjedia. Fëmija i vogël doli gjallë nga rrënojat, por se ndërroi jetë në spitalin e Askoli Picenos. Prindërit e saj, Masimiliano dhe Martina mbetën të plagosur. Martina e kishte ndjerë rrezikun nga tërmetet dhe për këtë arsye ishte zhvendosur nga Akuila, por sa duket ka qenë e pafat.

Polici vdes me fëmijët

Ezio Tuli, 42 vjeç, zv. shef i policisë në Aprilia vdiq në Amatriçe me dy djemtë e tij të moshës 12 dhe 14 vjeç. Bashkëshortja shpëtoi gjallë.

Nxënësja nga Roma për pushime te gjyshërit

Ariana Maskiareli, 15 vjeçe kishte shkuar në Peskara Del Tronto të kalonte kohë me gjyshërit, përpara se të niste shkolla në Romë. Ajo ka humbur jetën, pasi shtëpia e gjyshërve u shemb krejtësisht.

Parukieri vdes në shtëpinë e prindërve

Alesandro Neroni, 42 vjeç punonte në parukerinë “Via Kastelfidardo” në Civitanova Marçe. Ai vdiq në shtëpinë e prindërve në Amatriçe, pasi kishte shkuar për t’i vizituar.

Gruaja vdes me djalin e vogël

Nadia Magnanti, 44 vjeçe ka ndërruar jetë së bashku me djalin e saj 11 vjeç, Lorenzon në Amatriçe. Burri i saj shpëtoi mrekullisht.

Zyrtarja e Mbrojtjes Kombëtare Civile

Tiziana Lo Presti, 60 vjeçe, zyrtare e Mbrojtjes Kombëtare Civile, në momentin që ka rënë tërmeti ka qenë në Saleta, fshat pranë Amatriçes. Ajo po qëndronte pranë nënës së saj, e shtruar në spital. Tiziana ka mbetur e vdekur në vend, ndërsa nëna e saj shpëtoi.

Kushërinjtë vdesin te gjyshja

Elisa Cafini, 14 vjeçe me origjinë nga Pomezia ishte me pushime në Peskara Del Tronto te gjyshja, së bashku me kushëririn e saj, 8 vjeç. Të gjithë vdiqën, pasi u zunë nën rrënoja.

Agjenti i mobiljeve

Xhakomo Del Oto, agjent mobiljesh, ishte me pushime në shtëpinë e tij në Amatriçe me bashkëshorten Aura, vajzën Angela 12 vjeçe dhe me vëllanë, Paolon.

Çifti i gjendur i vdekur

Fabio Graziani, 42 vjeç dhe Aurelia Daogaru u gjetën të dy të vdekur në Amatriçe. Ata ishin si vizitorë në Amatriçe.

Karabinieri në Akumoli

Xhampaolo Peace, 43 vjeç ishte karabinier dhe jetonte në Akuila. Mirëpo, në kohën e tërmetit ishte në Akumoli. Ai kishte shkuar atje për të vizituar prindërit. Vdiq në vend nga tronditjet e tokës.

Çifti nga Roma

Paola Rasceli, 43 vjeçe me origjinë nga Roma, vdiq në shtëpinë e saj në Amatriçe me burrin e saj, Fabrizio Trabalza.