Historia e vërtetë e Shqiptareve -Gjashtë milionë njerëz në Greqi, janë më origjinë shqiptare

08.09.2019 01:41:38
Nga Elena Kocaqi:
-Greqia e viteve 1821, banohej vetëm nga shqiptarë ortodoksë, apo arvanitët dhe nga një minoritet vlleh, që është i një gjaku me shqiptarët -Pa Austro-Hungarinë, nuk do te ishim ne hartën etnike.
Flet Historiania prof.Elena Kocaqi,-Clearwater,Florida SHBA. –
-Znj. Elena. Do të doja të dija për kureshtjen e lexuesve, se cili prej zonave apo qyteteve shqiptare është vendlindja juaj?
Kam lindur dhe jam rritur në Fier. Nëse do të riktheheshit në retrospektivën e viteve të fëmijërisë dhe rinisë suaj si do i kujtonit ato në këto momente?
Kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur ku kam qenë princesha e shtëpisë dhe familjes së madhe. Kam lexuar shumë gjatë fëmijërisë libra në mënyrë të pavarur më tepër se normalja. Kam lexuar letërsinë më të mirë klasike, e cila më ka dhënë shumë kulturë në këtë fushë. Adoleshenca ka qenë e shkurtër dhe shumë impenjative, gjatë së cilës jam marrë me gjuhët e huaja.
-Ju keni studiuar për juriste. Sa ka ndikuar ky profesion në krijimtarinë tuaj me temë historike?
Unë kam studiuar në Universitetin e Tiranës për tre degë. Së pari, për Histori, pastaj për Juridik dhe më pas për shkencat politike. Të tria këto plotësojnë njëra tjetrën. Mësimdhënien në trembëdhjetë vitet e fundit e kam në Administrim Publik, pra Qeverisje dhe doktoraturën në Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Ku ndiheni më e zonja në binomin juriste dhe historiane?
Tek të dyja ndihem shumë mirë, pasi historinë e kam pasion dhe me të punoj me shumë përkushtim çdo ditë, ndërsa juridikun e ushtroj në mësimdhënie, në universitet. Si juristi ashtu dhe historiani, bëjnë hetim për të zbuluar të vërtetën. Të jesh njëkohësisht historian dhe jurist, do të thotë që të jesh dy herë i kompletuar dhe i plotësuar në kryerjen e një hetimi në mënyrë të plotë.
-Gjatë pesëmbëdhjetë viteve, ju keni arritur të shkruani tetë libra të veçantë nga tematika, duke zgjuar tek lexuesi interesim dhe besim, si dhe një sërë artikuj të ndryshëm.
Si erdhi pasioni, dashuria juaj për të shkruar?
Po është e vërtetë. Unë kam botuar tetë libra, të cilat tashmë po përkthehen në gjuhën angleze. Njëkohësisht jam duke punuar me disa libra të tjerë,duke menduar që do dalin së shpejti. Kam botuar dhe shumë artikuj brenda dhe jashtë vendit. Jam mëkuar me dashurinë për librin, që në fëmijëri dashuri të cilën e rris me përkujdesje dhe e forcoj çdo ditë.
-Kur shkruani, mendoni se ndodheni në një frymëzim të çastit, përjetim personal apo mision shoqëror?
Unë shkruaj me projekte afatgjatë, pasi kjo është një punë që kërkon një kërkim të mirëfilltë shkencor dhe kërkon shumë kohë.
-A ndeshet në ndonjërën prej krijimeve tuaja, elementi autobiografik?
Jo. Mendoj se është ende herët për të menduar një gjë të tillë.
-Libri juaj i fundit titulluar “Lufta e Trojës”, për të cilin juve ju është dashur të studioni, lexoni me qindra faqe e dokumente historikë, është mirëpritur nga lexues e dashamirës në mjaft shtete, madje dhe në disa shtete këtu në Amerikë.
Mendoni se ky libër ju ka lodhur dhe lumturuar më shumë ?
Libri më ka lodhur dhe lumturuar njëkohësisht. Më ka lodhur se ishte e vështirë, pasi nuk kishte një studim të mirëfilltë, historik, i cili i përket epokës moderne dhe ku mund të mbështeteshe, pasi për atë temë kishte trajtesa të pjesshme. Gjithsesi ky libër më ka lumturuar, sepse ia vlen mundimi kur lë diçka që shërben si kontribut për shoqërinë. -Ndodheni këto ditë këtu në qytetin Clearwatër të shtetit të Floridas, ku po zhvillojmë këtë intervistë me ju.
Si jeni ndier në takimet dhe bisedat e zhvilluara me student dhe krijues shqiptarë që jetojnë në disa shtete këtu në Amerikë?
Unë jam në një tur në SHBA, i cili filloi në Cikago, Arizonë, Florida dhe vazhdon në Washtington, New Jork dhe mbaron në Boston. Jam ndjerë shumë mirë dhe dua t’i falënderoj të gjithë organizatorët dhe ata që kanë marrë pjesë në aktivitet e mia. Ndihem e nderuar. Patëm një takim në universitetin e Arizonës për këtë çështje, që ishte tepër i rëndësishëm, pasi sjellim faktet historike për historinë e shqiptarëve në institucionet shkencore perëndimore.
-Sa ka ndikuar prania e vëllait tuaj, Altinit, historian e krijues si ju, i cili për fatin tonë të keq tashmë nuk jeton, në librin tuaj “Lufta e Trojës”, suksesin e të cilit ia dedikoni vetëm atij?
Unë librin ia dedikoj vëllait, pasi nisa ta shkruaj librin “Lufta e Trojës”, kur ai nuk ishte më. Altini ka filluar të shkruajë disa vite pas meje dhe unë e kam inkurajuar atë që të vazhdojë studimet për histori dhe shpesh jemi konsultuar për probleme të ndryshme. E kam pasur shumë krah për çdo gjë dhe ka qenë një humbje shumë e madhe për mua, por edhe një tronditje e madhe njëkohësisht. -Para disa javësh presidenti turk Erdogan, përuroi muzeun gjigant “Troja”në Stamboll, duke u shprehur se në këtë muze, ndodhet historia e popullit turk. Ndërkohë grekët pretendojnë se Troja është e Greqisë.
Cili është mendimi juaj ku mes këtij debati, qëndron libri juaj “Lufta e Trojës”?
Që Troja është historia e popullit turk është qesharake, pasi Turqit kanë ardhur në Azi të Vogël rreth 2500 vjet pas kësaj lufte. Ndërsa Greqia e sotme nuk ka lidhje me Trojën, pasi Grekët e sotëm kanë problem me origjinën dhe identitetin e tyre.
-Jeni ftuar në disa televizione jo vetëm në Shqipëri, madje edhe vende të tjera. Në cilin prej tyre jeni ndier e vlerësuar dhe në cilin televizion ju kanë etiketuar si anti-greke?
Është e vërtetë që, mua anti-greke më kanë quajtur vetëm media ekstremiste greke. Unë jam studiuese dhe nuk më intereson se kujt i mbetet hatri përballë të vërtetës. Për mua e vërteta është hyjnore dhe vjen para çdo interesi. -Në librat tuaj, pasqyroni fakte të vërteta, të dhimbshme, që kanë përjetuar shqiptarët, duke folur se në vitet 1500-1800, për çlirimin e Greqisë, kanë luftuar e kontribuar shqiptarët. Është ky një fakt i pamohueshëm? Po madje dhe i padiskutueshëm. Greqia e viteve 1821, banohej vetëm nga shqiptarë ortodoksë, apo arvanitët dhe nga një minoritet vlleh, që është i një gjaku me shqiptarët. –
-Pretendoni se mbi gjashtë milionë njerëz në Greqi, janë me origjinë shqiptare. Ku e bazoni këtë thënie?
Në momentin që u krijua Greqia, ekzistonin vetëm shqiptarë. Por grekët arritën të futin gjuhën teknike greke me detyrim, në institucione shtetërore dhe shkolla. –
Keni akuzuar disa politikanë greëk, se kanë qenë pjesë e tregtisë së organeve të fëmijëve shqiptarë. Sa e interesuar jeni ju, për këtë gjenocid kriminal?
Unë nuk kam akuzuar askënd, por me forcën e së vërtetës historike, kam dënuar veprime të tilla kriminale, të cilat dolën në dritë nga vetë ish-ministri i jashtëm i vendit fqinjë. –
Sipas jush, përse faktori politik shqiptar në Shqipëri, nuk kërkon zgjidhje të problemeve të hershme dhe të sotme me Greqinë?
Sepse shpesh faktori politik shqiptar, duke parë që “njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit”, bëhet më grek se grekët, dhe sepse nuk ka si qellim, interesin kombëtar. -Thuhet se mbi dhjetë kryeministra grekë, duke komentuar dhe ish-kryeministrin e sapo larguar Cipras, kanë prejardhje shqiptare.
Ndoshta këto tregojnë hershmërinë e shqiptarëve në këtë vend?
Në gjithçka bazohem dhe orientohem nga studime historike të hershme. Për sa i përket kësaj thënie, mund të them e sigurt që, janë shumë më tepër se kaq, se nuk ka grek fare në kuptimin që thotë Greqia sot, sepse grekë origjinalë janë vetëm shqiptarët.
-Përse ende dhe sot politikanë dhe qeveritarë grekë, vazhdojnë të hedhin thirrje destabilizuese, në mjaft raste shfaqje të racizmit gri, duke mos kursyer deri në marrje jete të emigrantëve të pafajshëm shqiptarë?
Për arsye që të mbajnë ndezur tensionin që dy popujt tanë që kanë shumë gjak të përbashkët, të mos afrohen, si dhe për të realizuar dëshirat ekspansioniste të shtetit të grek. 
Vazhdoni të shkruani, krijime dhe libra ndaj antikitetit tonë, duke pohuar se sërish, në çdo moment, do të bëni gjithçka që meriton Shqipëria dhe shqiptarët. Nuk ndjeheni ndonjëherë e lodhur?
Po, ka raste, por rri disa ditë pa bërë asgjë, thjesht fle ose kujdesem për veten dhe pas disa ditësh ndihem e çlodhur.
-A duhet të jemi mirënjohës si popull, fuqisë së atëhershme Austro-Hungareze?
Ndoshta jo pak njerëz sot nuk mund të dinë se Austro-Hungarezët, kanë kontribuar e ndihmuar mjaftë në lëvrimin e pasurimin e gjuhës shqipe ku për çudi, qeveritë shqiptare deri më sot këtë fakt e kanë “harruar”. Pa Austro-Hungarinë, nuk do ishim në hartën etnike të Evropës dhe jo më në hartën politike. Padyshim duke ardhur në momente kyçe të fatit për Shqipërinë, mendoj që Austro- Hungaria, ka bërë gjithçka për ne.
Mendoni se faktori shqiptar, është garanci për ruajtjen dhe stabilitetin jo vetëm në rajon?
Po, madje më i rëndësishëm se kaq. Është faktor kyç i stabilitetit dhe ekuilibrit në rajon, Evropë dhe botë.
Keni dy fëmijë të bukur si ju, djali Dardani dhjetë vjeç dhe vajza Helena gjashtë vjeçe. Çdo të thoshit për ata?
Faleminderit Fadil! Janë të dërguar nga zoti për të lumturuar jetën time. Janë gjithçka kam në këtë botë dhe i dua tej mase shumë. Janë të zgjuar dhe kërkues. Midis meje dhe fëmijëve, ekziston një dashuri e madhe.
-Jeni vlerësuar me çmime dhe tituj prestigjioz. Ndërkohë individ e shoqata të ndryshme duke vlerësuar kontributin tuaj të veçantë, i kanë kërkuar Presidentit, vlerësimin tuaj me titullin e lartë “Nder i kombit”. Si e vlerësoni lartësinë ku ju ndodheni sot?
As më intereson fare. Në këto kushte ku politika e çon herë pas here vendin drejt një katastrofe, nuk do të pranoj kurrë të marr asnjë çmim nga askush. Nëse do ma japin këtë titull, natyrisht që do e refuzoj.
-Përtej angazhimeve si pedagoge në universitet, udhëtimeve jashtë vendit, gjeni kohën të sakrifikoni e të shkruani dy libra të ndryshëm.
Për çfarë temash bëjnë fjalë ata?
Kam më shumë se dy libra në duar dhe ende nuk mund të them se kush do të dalë më parë, pasi jam duke punuar fort. Kurrë nuk do të lodhem së shkruari. -Suksese!
Intervistoi -Fadil Shehu -Clearwater, Florida SHBA