Historianët e Deçanit kërkesë deputetëve Hadërgjonaj dhe Zemaj

30.08.2016 14:00:59

Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, u ka bërë thirrje dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Safete Hadergjonaj nga PDK dhe Armend Zemaj nga LDK, që të mos e votojnë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Kjo për faktin se ata vijnë nga këto treva, të cilat ekspertë të pavarur, gjeografë e deputetë, thonë se po i humb Kosova me rastin e demarkacionit.

Në vijim ju sjellim të plotë kërkesën e tyre:

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, sot i ka dërguar këtë letër deputetëve të Kuvendit të Republikës se Kosovës Safete Hadergjonaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E nderuara deputete Safete Hadergjonaj, I nderuar deputet Armend Zemaj,

Siç dihet pas nesër me 1 shtator 2016, Kuvendi i Republikës se Kosovës do të diskutoj dhe me pas do të miratoj Marrëveshjen për Demarkacionin në mes të Republikës se Kosovës dhe Republikës se Malit të Zi.

Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, vlerëson se caktimi i vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, i bërë nga komisioni i kryesuar nga Murat Meha, nuk është në rregull dhe me këtë marrëveshje Republika e Kosovës po humbë shumë territor.

E nderuara deputete Hadergjonaj dhe deputet Zemaj,

Me qe ju nga baze e votës jeni nga Deçani, jeni nga brezi kufitar me Malin e Zi, Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, ju bene thirrje të sinqertë që të mos e votoni këtë marrëveshje e cila është shumë e dëmshme për Kosovën.

Ju e nderuara deputete Hadergjonaj, duhet të kujtoni jetën dhe veprën heroike të babagjyshit tuaj Beqë Meta, i cili është vrare me 1941 në mbrojtje të këtij kufiri. Andaj, ju tejkaloni bindjet politike që ju i takoni dhe mos e vetoni këtë marrëveshje. Me votën tuaj kundër do të mbroni gjakun e babagjyshit tuaj, i cili ka rene për këtë tokë.

Ju i nderuar deputet Zemaj, duhet të kujtoni gjakun e Lan Selimit, Beqë Metës, Beqë Kukalajt, e shumë e shumë të tjerëve nga zona e Deçanit që ranë në mbrojtje të kufirit. Mbi të gjitha ju duhet të kujtoni jetën dhe veprën e Mulla Musës se Strellcit, nga vendi që ju vini, i cili ju ka pri ushtrive shqiptarë në mbrojtjen e kufinjëve me Malin e Zi.

E nderuara deputete Hadergjonaj dhe deputet Zemaj,

Tejkaloni bindjet politike dhe vota e juaj të jetë kundër Marrëveshjes për Demarkacion. Me votën tuaj ju do të hyni në histori dhe do të mbeteni aty përgjithmonë.

Mbesim me shpresë që kjo letër e jona do të has në mirëkuptimin tuaj.

Ju jemi shumë mirënjohës.