Historike, një gjyqtare shqiptare me stemën e FIFA-s

31.01.2019 21:35:10

Shqipëria, për herë të parë në historinë e futbollit, këtë vit do ketë dhe një gjyqtare me stemën e FIFA-s. Bëhet fjalë për Emanuela Rustën, arbitre e talentuar nga Kolegjiumi i Elbasanit, që ka thyer barrierat dhe do të përfaqësojë futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Këto ditë, në Lisbonë të Portugalisë, janë duke u zhvilluar seminare dhe testime teorike e fizike me arbitrat e rinj të FIFA-s, meshkuj dhe femra. Në testimet fizike kanë marrë pjesë 38 arbitre femra. Vetëm 4 prej tyre kanë arritur t’i kalojnë ato dhe Emanuela Rusta ka shkëlqyer, duke arritur rezultate maksimale. Ditën e sotme, është zhvilluar edhe testimi i Rregullores së Lojës, ku Emanuela ka arritur rezultate shumë të mira.

Rezultate të shkëlqyera këto nga Emanuela Rusta që tregojnë edhe njëherë rritjen e nivelit të arbitrimit shqiptar si edhe zhvillimin e madh që ka pësuar futbolli femrave, ku Rusta ka drejtuar ndeshje kampionati dhe kupe.