Historiku i Familjes Bajraktari nga Theranda ( Suhareka)

09.07.2020 09:18:41

 (Fragmente nga libri ”Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar” 

 Nga Naxhije Doçi

Familja Bajraktari nga Theranda (Suhareka) jeton në Therandë (Suharekë) dhe është e familjes së madhe të fisit të vjetër Kuçi dhe ndër të parat familje të vjetra te Therandës. Sipas literaturës së hulumtuar historike dhe antrogjeografike për zanafillën dhe zhvillimin e fiseve shqiptare në Shqipërinë e Veriut të shekullit XV dhe XVI, vërejmë se fisi Kuçi është fisi më i vjetër pas atij të Hotit.

Familja Bajraktari e Therandës nëpër vite e shekuj bëri epokë të përkushtuar trimërie dhe mirësie për vendin e vet të trashëguar nga të parët e lashtë dhe për shqiptarinë. Me gjenin e trashëguar atdhetar, por edhe me edukimin e vazhduar, kjo familje bëri epokë edhe për çështje afrie e pajtueshmërie, së pari brenda vetëvetes si familje, brenda fisit të vet, brenda fiseve të tjera në afërsi, si edhe kudo që kërkohej pëkrahja e tyre. Të gjitha këto përkushtime i bënte vetëm që të ishin tok të bashkuar si shqiptarë.

Familja Bajraktari është njëra ndër familjet më të njohura në Therandë (Suharekë) dhe në rrethinë të saj, në Bajrakun e Suharekës. Brezat meshkuj të kësaj familje, por edhe gratë, vazhdimisht e kanë dëshmuar vetën për të mirë nëpër periudhat kohore, që ishin përherë të rënda dhe me trazime të pandalura për shqiptarët. Kjo Familje ka frymuar nëpër kohë dhe ka përjetuar njëjtë me bashkëvendasit e vet të mirat dhe të këqijat, që kanë rënë nëpër vite mbi popullin shqiptar të kësaj ane dhe përgjithësisht mbi këtë copë toke pjellore dhe kreshnike të Kosovës. Të mirat dhe të këqijat i kishin përherë të përbashkëta, se vetëm si të bashkuar mund t’i përballonin vështirësitë që iu shkaktoheshin pa u ndalur nga pushtuesit e shumtë dhe barbarë.

Për Therandën (Suharekën) me gjurmë lashtësie në çdo pëllëmb e hap, Dr. Jusuf Osmanit në librin e tij:“Theranda (Suhareka)”, Prishtinë, 2008, thotë:Theranda në të kaluaren është quajtur Suhareka dhe ishte stacion i rëndësishëm, që lidhte rrugën e vjetër Shkodër–Kosovë. Edhe si vendbanim, e edhe si qendër, ka luajtur rol të rëndësishëm nëpër periudha kohore. Në burimet arkivore Suhareka përmendet qysh se herët, diku në vitin 1348. Këtë emër e gjejmë në krisobulën e Car Dushanit, me të cilën ai e formon manastirin e shënjtarëve Mihal dhe Gabriel, në afërsi të Prizrenit”.

Si vendbanim Theranda është përmendur në vazhdimësi edhe nëpër vite dhe shekuj të tjerë, në libra shënimesh të manastireve dhe nga misionarë klerikë të njohur shqiptarë, si edhe nga udhëpërshkrues të tjerë të ndryshëm        .

Theranda e sotme si qytet shtrihet në Rrafshin e Dukagjinit, në pjesën verilindore të qytetit të Prizrenit. Është qendër e rëndësishme, se gjendet në rrugën që lidh Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin dhe Rahavecin. Deri pas luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë emri i Therandës ishte Suhareka. Emërtimin Theranda, Suhareka e dikurshme, e ka që nga paslufta e vitit 1999, nga Komisioni për Standardizimin e Toponimeve të Kosovës, në bashkëpunim me komisionin komunal të natyrës së njejtë. Arsyeja e emërtimit të Suharekës në Therandë ishte edhe dëshira e popullatës vendore që ta përtërinin emërvendin e tyre të lashtë iliro-dardan. Në bazë të të dhënave historiko-arkeologjike, Theranda e lashtë iliro-dardane mendohet të ketë qenë në Suharekë, apo diku përreth saj, në emërtimin Hisari. Për një të vërtetë të tillë ka mendime të shumta dhe të ndryeshme shkencore. Konzulli rus i gjysmës së dytë të shekullit XIX, në Prizren, e sidomos prej vitit 1879, Ivan Stepanoviq Jastrebov, në librin e tij: “Serbia e Vjetër dhe Shqipëria” (Udhëpërshkrim), thotë: “Suhareka ishte vendi që romakët e kanë quajtur Therandë”. Thënia tjetër e tij është: “Theranda ishte në katundin e tanishëm Suharekë, e jo në Prizren”

Nga gjurmimet e bëra është dëshmuar se Theranda si vendbanim është lokalitet ilir i banuar që nga parahistoria me fise të vjetra ilire. Kohëve në vazhdim, popullata e Therandës, që ishte përherë shqiptare ndahej në lagje, sipas familjeve përkatëse, si: Kuçi, Gashi, Elshani, Berisha, Kryeziu, Shala. Sipas informatorëve, në këtë vendbanim, deri në vitin 1960 jetonin vetëm familjet e vjetra therandase. Më vonë qyteti është zgjeruar dhe në të janë vendosur edhe shumë familje të fshatrave të kësaj komuneje.

Në mesjetë vendbanimi i vjetër, në të dalë të Therandës (Suharekës) për Prizren është quajtur Gardhinë (Gradinë), ndërsa në kohë të mëvonshme edhe Hisar. Pikërisht në këtë vendbanim të vjetër me pasuri të shumta arkeologjike gjallëron Familja Bajraktari e Therandës (Suharekës). Që të flasim për Familjen Bajraktari të Therandës (Suharekës) dhe historikun e saj është e nevojshme që të cekim, qoftë edhe si shkurtimisht në këtë përfshirje, se si e mori kjo familje titullin Bajraktar dhe si u krijua Bajraku i Suharekës.

KRIJIMI I BAJRAKUT TË SUHAREKËS (THERANDËS)

Bajraku i Suharekës është ndër bajraqet më të mëdhenj shqiptar, të anës së Dukagjinit Lindor, si për nga numri i banorëve, ashtu edhe për nga numri i fshatrave, që gravitojnë në të. Konzulli rus i vitit 1879, në Prizren, Jastrebov, në librin e tij: “ Serbija e vjetër dhe Shqipëria “, Prishtinë, 1989, f. 52.). thotë: “Bajraku i Suharekës përmendet si bajrak i parë dhe më i rëndësishmi në Rrethin e Prizrenit, që ka gjithsej 42 fshatra”. Sipas një përthekimi të tillë gjeografik edhe Theranda (Suhareka) e sotme si komunë ka 42 fshatra, që gravitojnë mbi rrugë dhe nën rrugën kryesore të saj, që lidh Prizrenin me Prishtinën.

Bajraku i Suharekës u krijua në kohën përafërsisht të njëjtë të krijimit të bajraqeve në trevat shqiptare. Krijimi i bajrakut në trevat shqiptare e ka historinë e vet dhe për këtë ka mendime të ndryshme të historianëve të  përgjithshëm. Mendimi i historianëve shqiptarë është, se institucioni i bajrakut është krijuar në fund të shekullit XVII. Dihet që popullsia shqiptare e vilajetit të Kosovës, ka prejardhje nga fise të ndryshme shqiptare. Me kohë, depërtimi i popujve të tjerë në këto vise, si edhe kushtet shoqërore kanë ndikuar që të humben gradualisht bazat e shoqërisë fisnore. Sipas historianëve, Bajraku është bashkimi i viseve të një krahine, ku bajraku mbante emrin e vendit dhe jo të fisit. Për kohën se kur është krijuar bajraku ka mendime të ndryeshme të historianëve të përgjithshëm . Sipas tyre bajraku i kishte edhe format rregullative të organizimit:

  1. Bajraku e kishte Kuvendin e vet, që ishte organi më i lartë ligjvënës.
  2. BESA ishte forcë unike për të marrë vendime në Kuvend, qoftë për ruajtje të vendit dhe qoftë për çështje të tjera me rëndësi. Besën e dhënë ishin të detyruar ta zbatonin të gjithë pa përjashtim.

Bajraku ishte edhe si një lloj organizimi ushtarak, i cili, deri diku e kishte zëvendësuar organizimin fisnor për shqiptarët. Për rëndësinë e bajrakut Gjergj Fishta shkruan: “Hapësira brenda së cilës duhet studiuar qëndrimi i vërtetë i shqiptarëve ndaj rendit, shoqërisë civile, është bajraku…Bajraku është shtet i vërtetë i shqiptarit“, etj.

Jeta nën pushtimin turk bëhej secilën ditë më e rëndë edhe në trevën e Suharekës. Që të vazhdohej egzistenca e popullit shqiptar për qëndrim dhe mbijetim në të duhej patjetër që të bëhej një lloj organizimi politik dhe ekonomik i vendit. Duhej patjetër që të bëhej edhe një lloj organizimi ushtarak, se ashtu e kërkonin rrethanat e kohës. Ky organizim e kishte territorin e vet gjeografik, të përfshirë në një grup katundesh me kufij natyrorë të përcaktuar mirë. Mbi bazën e mundësive dhe të domosdoshmërive të tilla ishte krijuar Bajraku i Suharekës, si institucion i organizimit fisnor të shqiptarëve të kësaj pjese të Kosovës dhe të shqiptarisë. Në krye të bajrakut ishte caktuar edhe bajraktari.

Sipas informatorëve të moshuar, Bajraku i Suharekës ishte bajraku më i mirë i rrethit të Prizrenit dhe i pjesës së Podgurit, se nuk ka bashkëpunuar asnjë herë me asnjë armik. Çdo herë ka qenë në konfrontim të vazhdueshëm me pushtuesin turk dhe me pushtuesit të tjerë pas tij.

Bajraku i Therandës në krye me bajraktarin e saj brez pas brezi, prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këto anë, është dalluar për trimëri në mbrojtje të qenjes kombëtare nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Ka dhënë kontribut të madh në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e tokave shqiptare. Ka marrë pjesë në shumë lufta kundër hordhive turke të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si edhe në luftat të tjera pas.

Në mbamendjen e të moshuarëve të familjes Bajraktari të Therandës (Suharekës) gjenealogjia prej gjyshit në stërgjysh të kësaj familjeje nuk shkon edhe ku me ditë se sa larg me shokë. Mbërrinë vetëm deri në gjeneratat e muslimanizuara. Për të parët në fenë katolike të kësaj familje mbamendjet janë shumë të turbullta dhe të pasigurta. Sipas tyre gjenealogjia e të emëruarëve bajraktarë në familjen Bajraktari të Therandës shkon deri në tetë shokë. Zakonisht (sipas rregullave në bajrak) bajrakun e ka trashëguar djali më i madh i bajraktarit të mëparmë. Në mungesë të tij është zgjedhur trashëgimtari më i afërt në familje. Në raste të tilla kriteret e zgjedhjes ishin përzgjedhja e djalit më trim dhe më të aftë për organizime të luftave vullnetare në bajrak. Si kriter tjetër me rëndësi ishte edhe zgjedhja e djalit më të aftë për mbajtje të rendit në shoqëri dhe për afrime të shqiptarëve në mes veti. Në respektim të cilësive të tilla, bajraku i Suharekës ishte i suksesshëm dhe shumë kontribues për çlirim kombëtar.

Për formimin e hershëm të bajrakut në Suharekës, pra në këtë pjesë të Dukagjinit Lindor, Dr. Jusuf Osmani në librin “Kosova dikur dhe sot“, f. 133, thotë: “Në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, Suhareka ka luajtur një rol me rëndësi në jetën shoqërore në trevën e Podgurit dhe të Anadrinit. Në të ishte selia e bajraktarit të Bajrakut të Suharekës. Ky Bajrak ka pasur gjithsej 42 fshatra të Podgurit dhe të Anadrinit. Bajraku është kujdesur, veç tjerash edhe për sigurinë e rrugës së vjetër Shkodër-Kosovë, e cila kalonte nëpër këtë territor “.

Konzulli rus në Prizren, Jastebov, arsyen e krijimit të bajraqeve e lidh me domosdoshmërinë e mbledhjes së vullnetrëve të aftë luftarë të një territori të caktuar, në raste lufte.

Sipas banorëve e kësaj ane të Kosovës, por edhe sipas dokumenteve, Bajraku i Suharekës (Therandës) i kishte edhe tri nënbajraqe dhe që ishin: Nënbajraku i Kabashit, Nënbajraku i Budakovës dhe Nënbajraku i Samadragjës.

Titulli i bajrakut-Bajraktar ka qenë trashëgues dhe vazhdonte prej babait në djalin e madh. Bajraktari emërohej nga familjet e njohura, nga familjet në zë që kishin burra trima dhe sakrifikues, por edhe nga familjet e pasura. Ndër arsyet shumë të forta të caktimit të bajraktarit nga familjet e pasura shqiptare ishte se për organizimin e luftave vullnetare brenda bajrakut duhej edhe armatim. Bajraktari duhej të kishte edhe aftësi morale dhe organizative për t’i pajtuar shqiptarët në mes veti nga sindromi i gjakmarrjes. Vllavrasja ishte plagë e rëndë ndër shqiptarë e shkaktuar nëpër mote si pasojë e jetës së gjatë dhe të rëndë në robëri. Bajraktari ka qenë i respektuar  nga popullata se e konsederonin që me përkushtim në dobi të vendit të vet, të bajrakut të vet dhe të populates në bajrak.

-Përzgjedhur për publikim më 08, 07. 2020