Horner, i sigurtë: Mercedesi, skuderia për t’u mposhtur

20.02.2017 18:29:03

Christian Horner është i sigurtë, Mercedesi është skuadra për t’u mundur në Botërorin e Formulës 1, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar rregullorja e këtij kampionati.

Drejtori i Përgjithshëm i Red Bullit e deklaroi këtë vetëm pak javë përpara nisjes së sezonit të ri, duke shtuar se shpreson që skuadra austriake t’ua vështirësojë gjërat gjermanëve.

“Mercedesi është kampione e botës. E ka fituar këtë titull 3 herë dhe mbetet ende skuadra për t’u mundur. Do të jetë diçka e vështirë për ta zbritur nga froni, por kjo është ajo që ne kërkojmë të bëjmë. Shpresojmë që këtë vit, ne të mund ta rivalizojmë vërtet Mercedesin” tha Horner.

Horner shtoi gjithashtu se me rregullat e reja, makinat do të jenë ndryshe, më agresive në pistë dhe se do të përshkojnë pistën me 4-5 sekonda më shpejt. Sipas tij, këto ndryshime që u bënë, e shtojnë entuziazmin te Red Bulli për vitin 2017.

Javën e ardhshme në Barcelonë do të nisin testet parasezonale, ndërkohë që Botërori do të fillojë më 26 mars me Çmimin e Madh të Australisë.