Hoti e mohoi, por shuarja e Taskë Forcës pritet t’i sjellë Kosovës telashe serioze për heqjen e vizave

30.10.2020 14:39:09

Qeveria e Kosovës ka shuar Departamentin Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, e cila ishte pjesë e policisë.

Më 19 tetor të këtij viti, me propozim të kryeministrit, Avdullah Hoti, Qeveria e Kosovës, mori vendim për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, që ishte pjesë e Policisë së Kosovës dhe kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky vendim dhe veprim i “Qeverisë Hoti”, po shihet shumë i dëmshëm në aspektin integrues të Kosovës, e në veçanti për çështjen e liberalizmit të vizave për Kosovën.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë, se me këtë vendim të “Qeverisë Hoti”, është dërguar mesazhi te Bashkimi Evropian dhe shtete anëtare se Qeveria e Kosovës përveç mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin edhe ikjen nga përgjegjësia penale të ministrave aktual në qeveri dhe të bashkëpartiakëve të koalicionit qeveritar.

Miftaraj ka bërë të ditur se me shuarjen e Task-Forcës është shuar edhe shpresa se Kosova mund të ketë liberalizimin në vitin 2021, siç tha ai, gjithmonë nëse është po e njëjta qeveri.

“Shtetet anëtarë të BE-së që hezitojnë për të lejuar liberalizimin e vizave për Kosovën janë kryesisht Franca dhe Holanda. Të dy këto shtete në veçanti kërkojnë rezultate konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsion, ku vullneti politik pa dyshim se është parësor.  Vendimet e fundit të “Qeverisë Hoti” kanë dërguar mesazhin tek Bashkimi Evropian por edhe shtetet anëtare se Qeveria e Kosovës përveç mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, e njëjta qeveri shkel pa mëshirshëm mbi parimet bazë të një shteti demokratik si sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë më të vetmin synim, ikjen nga përgjegjësia penale të ministrave aktual në Qeveri dhe të bashkëpartiakëve të koalicionit qeveritar. Me këtë qasje të qeverisë viti 2020 pothuajse është i humbur sa i përket liberalizimit të vizave duke u zbehur shpresat për një rezultat pozitiv edhe gjatë vitit 2021, gjithmonë nëse Kosova do ta ketë të njëjtin kabinet qeveritar”, ka thënë Miftaraj për lajmi.net.

Edhe profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazrreku, thotë se shuarja e Task-Forcës, do t’i sjell telashe Kosovës në lidhje me liberalizmin e vizave.

Sipas tij, vendet që janë skeptike për liberalizimin e vizave, shuarjen e kësaj Task-Force do ta përdorin si argument në votën e tyre kundër Kosovës.

“Ne këtë kompleksitet aspektesh edhe hezitimesh nga ana e disa shteteve anëtare, çdo lëvizje nga ana e Kosovës që eventualisht mund të interpretohet si ngecje në rrugën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të përdoret si argument që votën e tyre me e bë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Mazrreku për lajmi.net.

Sipas tij, shuarja e Task-Forcës nuk mund ta kthej në pikën zero procesin e liberalizimit, por që sipas tij, ligjvënësit kosovarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në vendimet që i marrin në mënyrë që të mos e pësojë Kosova dhe qytetarët e saj, pasi siç potencon ai, tashmë shtetet evropiane që hezitojnë për liberalizimin e vizave për kosovarët, shuarjen e kësaj Task-Force do ta përdorin si kartë të tyre kundër Kosovës.

“Por jo esencialisht ky veprim mundet me e kthye në pikën zero për shkakun se liberalizimi i vizave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar që nga viti 2012, do me thënë tetë vite raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian deri më tani dhe kemi dy raporte të Komisionit Evropian të cilat rekomandojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prandaj politikbërja dhe vendimmarrja politike në Kosovë duhet të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre në këtë fazë ku Kosova të themi se i ka pasur disa avantazhe sepse presidencën e Bashkimit Evropian tashmë e ka një shtet i cili përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, por veprimet jo të matura politike të Kosovës në këtë rast shuarja e Task-Forcës Anti-korrupsion, mund të e krijojë një argument te ato shtete të cilat edhe ashtu janë hezituese për ta hedhur votën pro Kosovën”, theksoi Mazrreku për lajmi.net.

E kryeministri Hoti në një deklarim për media tha sot se shuarja e kësaj Taskë Force nuk ndërlidhet asgjë me procesin e heqjes së vizave.

“Lidhur me Taskë Forcën se a lidhet me liberalizim, është krejtësisht spekulim. Nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi, në të ardhmen keni me pa edhe në vendime të tjera. Këto vendime kanë me qu më shpejtë në heqjen e vizave. Pa asnjë interferim, Taskë Forca do të vazhdojë punën e vet në çështjet që i ka pasur në shqyrtim”,

Ndryshe, Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Një nga rastet që ky departament ka realizuar ishte ai për arrestimin e pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, pasi të njëjtin dyshohet se kishin marrë ryshfet për lëshimin e patentë-shoferëve.

Kabineti qeveritar i Kosovës të hënën (19 tetor 2020) ka vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Ndryshe, korrupsioni në Kosovë me vite është identifikuar si njëri nga problemet kryesore në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë.

Së fundi, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka përmendur se Kosova është “në fazën e hershme” në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se “nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”.