Hoti: E papranueshme ndalesa e Serbisë për sportistët dhe deputetët e Kosovës

09.05.2018 13:05:42

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar sot lidhur me ndalimin që i është bërë sportistëve për të marrë pjesë në gara në  Serbi si dhe të deputetëve të Kosovës për të marrë në takimin e Komisioneve për Integrim Evropian të vendeve të Ballkanit.

Hoti këto ndalesa i ka quajtur të papranueshme.

Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:

“E papranueshme ndalesa e sportistëve kosovarë nga Serbia për të marrë pjesë në gara. E pa pranueshme ndalesa e deputetes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në takimin e Komisioneve për Integrim Evropian të vendeve të Ballkanit.

Bashkimi Evropian duhet të reagojë për këtë. Në ditën e Evropës kur duhet të promovojmë lëvizje të lirë, fqinjësi të mirë dhe vullnet për të zgjidhur çështjet me dialog, Serbia po dëshmon se ka mbetur prapa në politikën e izolimit dhe konfliktit.

Sjellja e tillë e Serbisë dëshmon se dialogu i deritashëm ka qenë i kotë. Na duhet format i ri i dialogut, por me përfaqësues politik që kanë legjitimitet qytetarë dhe kredibilitet. Duhet një dialog që adreson temën bosht të njohjes reciproke.

Koncensusi politik në Kosovë është i domosdoshëm për tu përballur me politikën serbe në këtë dialog. Prandaj, na duhen institucione legjitime që mbrojnë pa asnjë kompromis interesin shtetëror të Kosovës në dialog.

Politikanët që kanë koketuar me elemente kriminale në veri të vendit për të siguruar numrat për qeverinë që tash është jo legjitime, nuk i kanë kredencialet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës në këtë proces jetik për të ardhmen e Kosovës.

LDK-ja është e gatshme të marrë përsipër krijimin e këtij koncensusi, që duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë e Kosovës, akademinë, shoqërinë civile, komunitetet, dhe spektrin politik”