Hoti garanton një vit pune me pagesë për çdo të ri që kryen fakultetin

27.05.2017 15:39:07

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në Prizren, ka thënë se plani i tij qeverisës parasheh që çdo i ri që kryen fakultetin të ketë një vit pune me pagesë, ndërsa më pas ata do të ndihmohen nëpërmes fondeve shtetërore për të zhvilluar biznese të reja.

 

“Plani i jonë qeverisës ka top prioritet rininë dhe punësimin e saj. Për të gjithë të rinjtë që kryejnë fakultetin ne garantojmë një vit pune me pagesë. Më pas do të krijojmë fonde për t’i ndihmuar ata që të kyçen në tregun e punës ose do t’i ndihmojmë me fonde për krijimin e bizneseve të reja”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se LDK nuk e ka problem gjetjen e fondeve, sepse nëpërmes luftimit të krimit, korrupsionit dhe luftimit të evazionit fiskal ne kemi arritur shifrën dy miliardë euro në buxhet.
“Në fund të mandatit të ri, buxheti do të arrijë në tre miliardë dhe kjo do të mundësojë financim të projekteve për punësimin e të rinjve”, ka thënë Hoti.
Hoti i ka kritikuar oponentët politikë, të cilët në parlament më shumë brengosen për hallet e tyre se për nevojat e qytetarëve.
“E kam vështirë t’i prezantoj përfaqësuesit e LDK-së, sepse janë secili më i mirë se tjetri. Kam pas nderin e veçantë me marrë besimin e LDK-së, një parti 27-vjeçare, me gjenerata të mrekullueshme. Tash e kam marrë besimin me i pri brezit të Republikës. Për mua është përgjegjësi e madhe, me i pri këtij ekipi të jashtëzakonshëm“, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se nuk ka procese të rëndësishme për Kosovën dhe në të cilat nuk ka pri LDK-ja.
“Në vitet e 90-ta askush nuk ka besuar në kauzën për liri e barazi, por është LDK-ja ajo që e ka çuar këtë kauzë përpara. Askush nuk ka besuar se një vend i vogël si ne, me më pak se dy milionë qytetarë mund të kemi aleancë me SHBA-të, por është Presidenti Rugova dhe LDK-ja që i kanë arritur ato pa asnjë hezitim”, ka thënë Hoti.