Hoti: Haradinaj është i obliguar ta mbajë në kabinetin e tij ministrin Rikalo

05.10.2017 20:13:39

Me t’u emëruar në pozitën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo është përballur me akuza nga deputetët e opozitës. Rikalo po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës.

E për këto akuza kanë folur vetë banorët e lagjes Dardania në Prishtinë, të cilët kanë rrëfyer torturat që ua kanë bërë ministri Rikalo dhe vëllai i tij Gorani.

Madje për këtë deputetë të LDK-së, ditë më parë iniciuan mocionin me të cilin kërkonin nga kryeministri Ramush Haradinaj të shkarkonte Rikalon, mirëpo ky mocion nuk arriti të marrë shumicën e votave. Nga 68 deputetë sa ishin në sallë, pro votuan vetëm 27 deputetë.

Lidhur me këtë çështje, Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Telegrafin tha se i vjen keq që kryeministri Haradinaj është i obliguar ta mbajë në kabinetin e tij ministrin Rikalo.

“Më vjen keq që kryeministri Haradinaj është i obliguar ta mbajnë një person brenda kabinetit tij, duke qenë se ka akuza dhe kjo është fyerje për krejt qytetarët e Kosovës e në veçanti për viktimat në rast se vërtetohen akuzat ndaj tij”, tha Hoti.

 

Nenad Rikalo dhe kryeministri Ramush Haradinaj
Hoti theksoi se shpreson që organet e rendit të jenë shumë efikase për të zbardhur akuzat publike që qytetarët i kanë bërë ndaj ministrit Rikalo.

“Ne në qeverinë paraprake patëm vendosur standarde shumë të larta, që njerëzit në çfarëdo rrethane që kanë rënë ndesh me ligjin të mos shërbejnë në poste të tilla”, u shpreh Hoti.

I pyetur rreth hapave konkret që do të ndërmarrin tash e tutje, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e mbajtjes së ndonjë proteste për shkarkimin e ministrit Rikalo, Hoti nuk dha detaje duke thënë se “nuk mund të flas tash diçka rreth kësaj”.

Kujtojmë se në kohën e qeverisjes Mustafa, ministri për Komunitete dhe Kthim atë kohë Aleksandër Jablanoviq për shkak të fyerjes që u kishte bërë nënave në Gjakovë, ishte shkarkuar nga kjo pozitë pas protestave që ishin mbajtur.