Hoti: Koalicioni me VV-në i vështirë, kemi dallime të mëdha në program

06.07.2017 14:23:07

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se janë të vendosur që në as një formë të mos hyjnë në koalicion me PDK-në.

Ndërsa sa i përket kërkesë së Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion pas zgjedhor Hoti thotë se me këtë parti kanë dallime të mëdha sa i përket programi, por nëse këto dy parti arrijë të dakordohen për programin do të bisedohet për postin e kryeministrit.

Krejt kjo do të ndodh sipas Hotit pasi që koalicioni PAN do të dështojë ta formojë qeverinë, raporton EkonomiaOnline.

“Puna e parë është që duhet të arrijmë me VV-në është që të përafrojmë programin, pastaj të shohim se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Kemi diferenca bukur të mëdha me Vetëvendosjen në veçanti, prej temës së parë të zëmë tek zhvillimi ekonomik ata janë parti e majtë që tentojnë të rrisin rëndësinë e sektorit publik në ekonomi, ne dëshirojmë të zvogëlojmë rëndësinë e sektorit publik në ekonomi, ata kanë në programin e tyre vendosjen e taksave progresive, pra rritjen e taksave, ne si parti e qendrës së djathtë tentojmë t’i mbajmë taksat kështu si janë dhe t’i zvogëlojmë me kalimin e kohës ta rrisim bazën e taksave dhe t’i ulim taksat për qytetarë dhe biznese”, ka thënë Hoti.

“Tek integrimet evropiane kemi bukur shumë dallime, tek rendi dhe ligjet, tek sundimi i drejtësisë, qasja që kanë ata për nxjerrjen e ligjeve që sigurojnë një rend dhe ligj më adekuat, kemi bukur ndryshime dhe diferenca në qasje në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë Hoti kur u pyet nëse LDK-ja në një koalicion të mundshëm me VV-në do ta përkrah Kurtin për kryeministër, raporton EO.

Hoti u shprehur se nuk janë të interesuar që të jenë në krye të qeverisë me çdo kusht. Ai ka thënë se nëse shkojnë në opozitë do jenë konstruktive pasi sipas tij, janë partia e vetme e cila respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sa i përket rezultateve të zgjedhjet të parakohshme Hoti tha se LDK-ja nuk ka shënuar rënie, sepse ka marrë vota sa edhe në vitin 2014.

“Kemi pak a shumë votat që i kemi pasur, kemi pasur një qeveri për kredibilitet një qeveri me duart të pastra pa afera me zhvillim ekonomik. Këto rezultate të qeverisë më bëjnë mua krenar dhe qytetarët janë ata që vendosin”, tha Hoti.

Ai ka thënë se për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme Kosova ka mbetur e peng i procese të shumta.