Hoti: Kosova në mesin e shteteve që 20% të vaksinës antiCOVID-19 do ta marrin falas

07.12.2020 21:04:05

Kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se Kosova është listuar në mesin e shteteve që 20 për qind të vaksinës antiCOVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot ka nënshkruar aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës antiCOVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, gjersa aplikimi për asistencë teknike për këto vaksina është bërë ditë më parë përmes ekipit të ekspertëve.

Hoti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të respektojnë me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së dhe masat kundër COVID-19, në kohën kur numri i rasteve të reja ditore në nivel vendi vazhdon të mbetet i lartë.

Postimi i plotë:

Sot, Ministri Zemaj ka nënshkruar aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, gjersa aplikimi për asistencë teknike lidhur me këto vaksina është bërë ditë më parë përmes Ekipit të ekspertëve.
Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet.
Të dashur qytetarë,
Të respektojmë me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së dhe masat kundër COVID-19. Ky është kontributi më i madh që mund të japim për veten, familjen dhe mbarë shoqërinë.
Prandaj, mbajeni maskën, respektojeni distancën dhe kujdesuni për higjienën personale.