Hoti me piktorët shqiptarë dhe të rajonit në Kalabri

17.04.2017 15:34:09

Ka vazhduar dje dhe sot kolonia e piktorëve të peizazhit, “Bregdeti Jonian i Italisë në Telajo”, organizim që ka bërë bashkë piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia.

Në këtë organizim, sipas një njoftimi të kësaj ministrie, po merr pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti.

Disa nga piktorët shqiptarë që morën pjesë në koloninë e piktorëve në Kalabri, janë Veli Blakqori, Adriana Sedaj, Tafil Peci, Bardha Buza, Shyqri Celiku, Skender Idrizi, Muhamet Ahmeti, Eshref Qahili, Arsim Kajtazi, Sejdi Kapllanaj, Rober Bibaj e Liridon Gashi.

Po sipas njoftimit, zëvendësministri Hoti dhe piktorët vizituan edhe vendlindjen e poetit Jeronim De Rada në Maki, saktësisht vendi pranë kishës ku është i varrosur së bashku me djalin.

Gjithashtu, ata vizituan edhe vendlindjen e Zef Serembes.

Kurse, gjatë mbrëmjes së djeshme, u dhanë edhe çmime e mirënjohje për 10 punimet e përzgjedhura.

Zëvendësministri Hoti, në emër të MKRS-së shpërndau mirënjohje për organizatorët e kolonisë.
Diplomë mirënjohje iu dha “Minerva Resort Club&Spa” për organizimin e shkëlqyer në mbështetje të aktivitetit kulturor të kolonisë në piktorëve, duke kontribuar në këtë mënyrë në forcimin e marrëdhënieve mes Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Mirënjohje gjithashtu iu nda edhe Institutit të Librit dhe Promocionit për ideimin dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të rëndësishme që mbështetin fuqishëm promovimin e artit shqiptar figurativ në botë.

Në veçanti, mirënjohja për këtë institut u nda për organizimin dhe realizimin e Kolonisë së Piktorëve Figurativë Shqiptar nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit në jug të Italisë.