Hoti: Presidenti t’i emëroj anëtarët e KQZ-së, në të kundërtën do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

13.03.2019 12:02:08

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për bllokimin e KQZ-së, ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi, me mosveprimin e tij, po e bllokon funksionimin e KQZ-së.

“Procedura që duhet të ndiqet për emërimin e anëtarëve të KQZ-së është e qartë. 6 anëtarë emërohen nga grupet parlamentare që përfaqësojnë shumicën. Bazuar në zgjedhjet e qershorit 2017 grupi parlamentar që përfaqësojnë komitetin shumicë janë PAN, LDK dhe LVV. Gjithçka është e qartë përveç Presidentit. Mosfunksionimi i KQZ-së ka pamundësuar shumë aktivitete. Zyrtarët e partive politike dhe grupeve parlamentare ka tre muaj që nuk marrin paga për shkak se KQZ nuk është funksionale”, ka thënë ai.

“Me mos emërimin e anëtarëve të KQZ Presidenti ka shkelur të drejtat e qytetarëve që janë të përfaqësuar me institucione lokale. Kemi nevojë për një Gjykatë Kushtetuese që ka rol aktiv si një gardiane e Kushtetutës. E mbështesim draft rezolutën e hartuar për zhbllokimin e KQZ-së. Kërkojmë nga Presidenti të emëroj pa asnjë vonesë anëtarët. Çdo veprim tjetër është antikushtetues dhe na detyron ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.