Hoxha: Ditët e festës, të qeta dhe pa incidente

19.02.2018 14:04:45

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve të festimeve për nder të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë, ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për Telegrafin se jashtë procesit festiv janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por të cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore.

“Mund të ju informoj se gjatë këtyre ditëve të festimeve për nder të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë, ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese”, tha Hoxha.

Sipas zëdhënësit të Policisë, gjatë ditëve festive edhe gjendja në trafikun rrugor ka qenë më e qetë se herëve tjera, nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qene i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore.

“Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit dhe njëkohësisht falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesëmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, tha Hoxha.