Hoxha: Faleminderit Lunaçek, jeni mike e Kosovës

30.10.2017 17:26:42

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka pritur në takim lamtumirës, raportuese nnë Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek dhe Igor Sholtes, eurodeputet, anëtar i Grupit të partive të gjelbra në Parlamentin Evropian.

Dinamika e procesit integrues nga Qeveria dhe kabinetet ministrore për sektorët e caktuar, tashmë ka dhënë rezultatet e para, andaj, theksoi Ministrja Hoxha, presim përkrahje për zgjidhjen e sfidave të mbetura. Duke qenë takim lamtumirës, ministrja Hoxha i shprehu falënderim të sinqertë, znj. Lunaçek per kontributin e dhene ne progresin e Kosoves.

“Procesi integrues është çështje madhore e shtetit tonë. Në këtë drejtim, falënderojmë shtetet mike dhe miqtë e jashtëzakonshëm si znj. Lunaçek që vazhdimisht u gjenden pranë nesh duke na udhëzuar e përkrahur me asistencë të gjithanshme. Po ashtu, ju znj. Lunaçek ishit avokate jona e fuqishme me këshilla, ekspertiza dhe kapacitetet Tuaja politike në të gjitha nivelet, në veçanti brenda Parlamentit Evropian”, tha Hoxha duke shtuar se Kosova ka nevojë ende për përkrahje të saj.

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në takim lamtumirës, theksoi se ndjen kënaqësi që procesi integrues është thelbësor në orientimin strategjik të institucioneve të Kosovës, duke vënë në pah, komponentet e veçanta si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe fqinjësia e mirë.

Lunaçek, në fund theksoi se ka emocionet ndër më të mirat kur sheh përparimin e Kosovës duke përmbushur procesin integrues. Së bashku me Lunaçek ishte edhe eurodeputeti Igor Sholtes, nga Partia e gjelbër e Sllovenisë, që pritet të marrë detyrën e raportueses së deritashme, Lunaçek, në Parlamentin Evropian.