Hoxha: Integrimi në BE dhe NATO, shpresa më e mirë për paqe të qëndrueshme në rajon

12.06.2019 20:49:31

Në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë, e organizuar si pjesë e ngjarjeve që shënojnë 20 vjetorin e vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe njëkohësisht duke shënuar Ditën e Çlirimit, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mbajti fjalë rasti, ku theksoi kontributin e panelistëve, të cilët kanë qenë të palëkundur në politikat, iniciativat, si dhe hulumtimet dhe analizat për të kuptuar faktorët që e bëjnë paqen, brishtësinë e paqes dhe kushtet për qëndrueshmërinë e saj.

Sipas njoftimit për media, ministrja Hoxha theksoi se Kosova është vend që punon çdo ditë për të forcuar demokracinë, për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe shpresojmë se së shpejti do të bëhemi anëtare e barabartë e BE-së dhe NATO-s, me aleatët tanë, të cilët e bënë të mundur këtë progres. Ajo potencoi rëndësinë e personaliteteve tashmë historike për Kosovën si Presidenti Klinton, Zonja Albright, Gjenerali Klark e shumë të tjerë, për të cilët ceku se Kosova do të jetë përherë mirënjohëse.

“E ardhmja jonë është brenda BE-së dhe NATO-s. Integrimi ynë brenda këtyre aleancave është shpresa më e mirë për paqe të qëndrueshme jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin”, theksoi ajo duke shtuar se dialogu mbetet e vetmja rrugë praktike e veprimit që do të na çojë drejt paqes së qëndrueshme.

“Sigurisht, BE do të ketë rolin udhëheqës, por partnerët tanë transatlantikë duhet të jenë të unifikuar në qëllimet dhe objektivat e tyre për rajonin. Nëse qëllimi është paqja e qëndrueshme, atëherë përafrimi i këtyre përpjekjeve mbetet çelësi. Sfidë për ne mbetet edhe mungesa e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar në vendet anëtare të BE dhe vendet e zonës Shengen. Komisioni Evropian konfirmoi se ne kemi plotësuar të gjitha kriteret e vendosura për ne. Qytetarët tanë ende nuk gëzojnë të drejtën e barabartë për të lëvizur lirshëm. Kjo qasje është e pajustifikuar dhe është e dëmshme nga perspektiva pragmatike”, ka thënë Hoxha.

Zbatimi i reformave na sjell më afër BE-së, por më e rëndësishmja, do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, potencoi Ministrja Dhurata Hoxha duke shtuar se duhet të gjejmë mënyra si vende të rajonit për të forcuar bashkëpunimin dhe për të realizuar synimet e përbashkëta për paqen, paqen e qëndrueshme.

Sipas njoftimit Në këtë konferencë të organizuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, po marrin pjesë znj. Atifete Jahjaga, Gjenerali Wesley Clark, William Walker, znj. Edita Tahiri, Dr. Andrew Michta, Xavier de Marnhac, Stjepan Mesiq, Gjenerali Timothy Orr, Dr. Daniel Serwer, Edit Harxhi, Valbona Zeneli, Florian Qehaja dhe personalitete tjera të fushës së sigurisë. Ndërsa me video mesazh, konferencës do t’i drejtohen znj. Hilary Klinton dhe Toni Bler.