Hoxha: Përvoja kroate e mirëseardhur për procesin e integrimeve

25.09.2017 11:20:44

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha u takua me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq. Në takim u diskutua thellimi i bashkëpunimit në kuadër të agjendës evropiane.

Ministrja Hoxha potencoi se Kroacia ka qenë dhe vazhdon të jetë një model shembull për Kosovën drejt integrimit të suksesshëm në Bashkimin Evropian.

“Kosova ka nevojë për përvojën dhe ekspertizën kroate në zbatimin e MSA-së për të përfituar nga këto përvoja të suksesshme”, tha ministrja e Integrimeve.

Ndërsa, u diskutua edhe avancimi rreth zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) pasi që Kroacia ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor, tek i cili u aplikua instrumenti i MSA-së dhe si janë menaxhuar sfidat e këtij procesi.

Njëkohësisht u diskutua për Agjendën Evropiane të Reformave, Programet e BE-së dhe planet e Qeverisë për të ecur tutje me procesin e Liberalizimit të Vizave.

Ndërsa, ambasadorja Kapitanoviq ritheksoi gatishmërinë e Kroacisë për të zgjeruar bashkëpunimin rreth agjendës evropiane, për të mbështetur dhe për të ofruar për Kosovën përvojën e vendit të saj në këtë proces.