Hoxhaj: Demarkacioni me Serbinë do të bëhet brenda dy vjetësh!

19.07.2016 00:36:16

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha sot se Kosova brenda dy vitesh duhet ta demarkojë kufirin me Serbinë.

“Ajo për të cilën unë angazhohem kohëve të fundit është që në një të ardhme të afërt, në një periudhë prej dy vitesh, Kosova do të duhej ta demarkojë kufirin edhe me Serbinë”, tha shefi i diplomacisë kosovare.

Sipas Hoxhajt, ky demarkacion duhet të ndodhë meqë ky është kufiri më i gjatë e më strategjik për Kosovën dhe meqë Serbia edhe më tutje ndjek një politikë armiqësore karshi shtetit të Kosovës.

“Nëse të kaluarën ka ndjekur një politikë armiqësore karshi qytetarëve, sot ndjek një politikë armiqësore karshi shtetit tonë, prandaj temë e radhës do të duhej të ishte demarkimi i kufirit”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, e cila u nënshkrua në vitin 2011, ka qenë veçse një njohje legale bilaterale e kufirit të Kosovës dhe se hapi i ardhshëm do të duhej të jetë demarkimi.