Hoxhaj në New York: Kompletimi i sovranitetit bëhet me anëtarësimin e Kosovës në OKB

13.02.2018 17:29:08
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në New York, ku ka marrë pjesë në panelin e organizuar nga Instituti Amerikan “Independent Diplomat” dhe Konsullata e Kosovës në New York, për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm kongresisti amerikan Eliot Engel dhe shumë diplomatë të njohur botërorë.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se në 10 vjetët  e fundit Kosova është dëshmuar si storie suksesi në ndërtimin e shtetit nga themelet. Ai foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në 10 vjetët e shtetësisë.

“Dekada e parë e shtetësisë ka nxjerrë si rezultat një shoqëri demokratike, shumetnike dhe sekulare. Në planin e brendshëm janë ndërtuar institucionet politike shtetërore, është krijuar baza për zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik, janë bërë reforma të shumta në fusha të tjera të jetës, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, drejtësia e deri tek ambienti”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli edhe për dimensionin e dytë të shtet-ndërtimit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Dimensioni i dytë i shtet-ndërtimit është integrimi i Kosovës në bashkësinë dhe institucionet ndërkombëtare, pra njohja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Sot janë 115 shtete që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, dhe janë 67 organizata ndërkombëtare ku Kosova është anëtare. Kosova ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe zbatimit të saj, si një proces i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në BE”, vazhdoi Hoxhaj në fjalën e tij, duke shtuar se këto arritje sa popullit të Kosovës, i takojnë edhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë.

Hoxhaj ka listuar dy sfida që e përcjellin Kosovën në rrafshin ndërkombëtar, edhe 10 vjet pas pavarësisë.

“Duke festuar 10 vjetorin e pavarësisë dhe duke nxjerrë një bilanc se çfarë është e çka mbetet për t’u bërë, Kosovës i duhet qartësi strategjike për të ardhmen e saj. Kosova duhet t’i adresojë dy sfida: E para, është kompletimi i sovranitetit përmes anëtarësimit në OKB, një proces ky i vështirë por i pandalshëm; dhe e dyta: vendi duhet të lëvizë nga përmbyllja e shtet-ndërtimit, në fazën e ndërtimit të një shoqërie dhe ekonomie të zhvilluar, që do ta bëjë të mundur anëtarësimin e Kosovës edhe në BE dhe në NATO”, përfundoi Hoxhaj.

Në këtë panel, përveç zëvendëskryeministrit Hoxhaj folën edhe ambasadori i Gjermanisë në OKB, Christoph Heusgen dhe ambasadori Zalmay Khalilzad që ka shërbyer ambasador i SHBA-së në OKB. Paneli u moderua nga gazetari i njohur i Al Jazeera’s, James Bays.