Hoxhaj në Suedi, kërkon mbështetjen për vizat

18.10.2016 15:47:24

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Stockholm homologen e tij suedeze, Margot Wallström, me të cilën ka diskutuar për një sërë temash që ndërlidhen me agjendën euroatlantike të Kosovës dhe atë bilaterale.

Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, Hoxhaj e ka falënderuar ministren Wallström për përkrahjen e Suedisë, dhe njëherësh ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme në procesin e liberalizimit të vizave, implementimin e MSA-së dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Një çështje tjetër e bisedës, sipas njoftimit, ka qenë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, veçmas në fushën e ekonomisë ku Suedia mund të luaj një rol të rëndësishëm.

“Gjatë ditës së sotme kisha një vizitë të veçantë në një shtet të rëndësishëm evropian sikurse Suedia ku takova Kryetarin e Kuvendit, Ministren e Jashtme dhe Komisionin për Punë të Jashtme. Me ta biseduam se si të sigurojmë mbështetjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, dhe se si Suedia ta mbështes Kosovën në anëtarësimet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Njëkohësisht kemi biseduar se si të hapet një kaptinë e re e bashkëpunimit ekonomik mes Suedisë dhe Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.

Sipas njoftimit, nga ana e saj, ministrja Wallström ka vlerësuar lartë raportet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

“Jam shumë e lumtur të takoj sot kolegun, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Sërish nënvizuam rëndësinë e miqësisë dhe mbështetjes për Kosovën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne po ashtu kemi diskutuar për çështje që janë të rëndësishme për të dyja palët, sfidat dhe mundësitë që dalin nga partneriteti dhe miqësia e jonë e përbashkët”, ka thënë Wallström.

Në njoftim bëhet e ditur se Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin me të cilin ka diskutuar për nevojën e mbështetjes në agjendën multilaterale të Kosovës veçmas në organizatat ku parlamentarët suedezë janë të pranishëm.

Po ashtu, shtohet se kryediplomati Hoxhaj ka takuar mbi dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike në Suedi, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme.

Hoxhaj i ka njoftuar me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, rajon dhe nivelin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.