Hoxhaj: Platforma e përbashkët, kapitull i ri i shqiptarëve në Maqedoni

07.01.2017 21:12:06

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka përshëndetur platformën e përbashkët të arritur mes partive parlamentare shqiptare në Maqedoni, e cila konsiderohet si arritja më e madhe e shqiptarëve në vitet e fundit në Maqedoni.

Hoxhaj ka thënë se gatishmëria e liderëve shqiptarë në Maqedoni për të dalë me një platformë të përbashkët është sinjali më i mirë për fillimin e një etape të re të përfaqësimit të denjë të interesave shqiptare në Maqedoni.

“Platforma e përbashkët duhet të synoj të përmbush qëllimet bazike të shqiptarëve në Maqedoni sikurse arritja e barazisë etnike si element shtetformues, dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe që nënkupton arritjen e barazisë gjuhësore. Veç kësaj, kjo platformë duhet të arrijë barazinë ekonomike, që ka të bëjë me shpërndarjen e buxhetit si dhe me punësimin e shqiptarëve në administratën publike”, ka thënë Hoxhaj.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap shumë domethënës në përfaqësimin e denjë të interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Zbatimi i kësaj platforme do t’i kontribuojë mirëqenies dhe stabilitetit të Maqedonisë, sundimit të ligjit, dhe të ardhmes euroatlantike të saj”, ka shtuar ministri Hoxha.