Hoxhaj shkon në Dokufest, konfirmon përkrahjen financiare për festivalin

08.08.2016 19:05:27

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të hënën ka vizituar festivalin e Filmit Dokumentar “DokuFest”, me ç’rast është takuar me udhëheqësit e këtij festivali të cilëve u ka siguruar edhe përkrahjen financiare.

Hoxhaj në Prizren njofton MPJ-ja, është takuar me drejtoreshën e festivalit, Nita Dedën, drejtorin ekzekutiv Eroll Bilibanin dhe  drejtorin artistik Veton Nurkollarin, të cilëve edhe zyrtarisht u ka dhënë përkrahjen financiare.

“Duke e ditur rëndësinë që ka ky festival përmes të cilit Kosova prezanton artin dhe kulturën e saj para botës dhe shumë artistëve të huaj që janë pjesëmarrës në të e të cilët kanë mundësinë të shohin një Kosovë ndryshe, MPJ tash ka vendosur ta përkrahë edhe këtë vit financiarisht Dokufest-in, dhe të përcjellë mesazhin se Kosova është shtet i hapur për njohje më të madhe ndërmjet popujve përmes kulturës”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.