Hoyt Brian Yee bëri të qartë kundërshtimin amerikan ndaj tendencave destabilizuese dhe kundërdemokratike në Kosovë

29.03.2017 13:08:41

Nga Rexhep Kastrati

Hoyt Brian Yee nuk është i panjohur për Kosovën dhe për shqiptarët, pasi që si diplomat dhe zyrtar i lartë i diplomacisë amerikane ka qenë shpesh në rajonin tonë dhe në Kosovë. Dhe sa herë që ka ardhur, por edhe nga Washington-i, z. Yee ka shpërfaqur qëndrimin e qartë të SHBA-ve lidhur me zhvillimet në rajon, por edhe lidhur me zhvillimet e dhunshme, anarkiste, tribale dhe në kufijtë e terrorizmit, duke theksuar gjithnjë qëndrimin kundërshtues ndaj zhvillimeve të tilla, si dhe mbështetjen e plotë për stabilitetin qeverisës të vendit dhe për funksionimin e tyre në bazë të kushtetutës. Po ashtu, z. Yee, si e gjithë diploamcia dhe administrata amerikane në përgjithësi ka shprehur mbështetjen e plotë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit dhe të Asociacionit. Madje Departameni i Shtetit Amerikan dy herë është shprehur lidhur me saktësinë e Demarkacionit, duke bërë të qartë se e mbështet marrëveshjen  me Malin e Zi. Në anën tjetër, edhe çështjen e Asociacionit e ka parë me përparësi, gjithnjë duke pasur parasysh Marrëveshjen e Brukselit si dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.  Një çështje tjetër  ndaj të cilës SHBA-të kanë qenë vazhdimisht të qarta vazhdimisht ka qenë edhe çështja e Ushtrisë së Kosovës, pasi që vazhdimisht i ka ofruar mbështetje të plotë procesit të transformimit të FSK-së në FA, proces që mund të kryhet vetëm me ndryshime kushtetuese. Madje lidhur me këtë çështje, Kongresi Amerikan, vitin e kaluar ka miratuar një vendim në bazë të të cilit obligohej administrata amerikane që ta ndihmonte Kosovën në Programine Partneritetit për Paqe si hap drejt anëtarësimit të saj në NATO.

Mirëpo, në Kosovë qëndrimet e qarta amerikane që janë shprehur qoftë nëpërmjet të z. Yee, oqftë edhe nëpërmjet zyrtarëve të tjerë të administratës amerikane, janë keqinterpretuar dhe janë keqpërdorur për qëllime të politikës së brendshme dhe në funksion të manipulimit të opinionit publik. Dhe kjo ka ndodhur si me çështjen e Demarkacionit dhe të Asociacionit,a shtu edhe me çështjen e transfromimit të FSK-ës në FA dhe lidhur me zgjedhjet. Kështu, vullneti dhe mbështetja e qartë e SHBA-ve për procesin e transformimit të FSK-së në FA është kuptuar si një mundësi për të përkeqësuar këtë proces për qëllime të natyrës elektorale, ashtu siç bëri Hashim Thaçi. Ky këtë mbështetje të SHBA-ve për procesin e transformimit të FSK-së në FA e konsderoi edhe si mbështetje të çfarëdo nisme ligjore që mund të ndërmerret. Në anën tjetër, çështja e Demarkacionit dhe e Asociacionit janë përdorur për të nxitur dhe fuqizuar qasjen kundëramerikane në Kosovë dhe ndër shqiptarë, me qëllimin që të pengohen këto procese të rëndësishme sipas vullnetit dhe strategjisë serbo-ruse dhe të aleatëve të tyre. Dhe të gjitha këto për të destabilizuar vendin dhe për të çuar së paku në zgjedhje, pas të cilëve do të krijohej një koalicion pro srbo-rus PDK – VV, me kryeministër Albin Kurtin.

Duket se janë të gjitha këto arsye që kanë shtyrë administratën amerikane që ta dërgojë z. Yee në Kosovë dhe të bëjë të qartë edhe një herë pakënaqësinë e shtetit amerikan me të gjitha këto zhvillime. Fakti se z. Yee deklaron se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion, dhe se procesi i transformimit të FSK-së në FA është proces që duhet të bëhet me ndryshime kushtuese, si dhe shprehet qartë edhe lidhur me Demarkacionin e Asociacionin, madje ka takuar veç e veç aktorët dhe faktorët e ndryshëm politikë në Kosovë, tregon se SHBA-të janë tepër të shqetësuar me të gjitha këto zhvillime dhe se është momenti i fundit kur duhet të marrin fund. Gjatë ditës së djeshme kemi parë foto të personaliteteve të ndryshme me z. Yee, e që do të thotë se misioni i tij është shumë i qartë: të përcjellë qëndrimet e prera të SHBA-ve: 1. transfomimi i FSK-së në FA është kushtetues e jo ligjor; 2. zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe duhet të respektohen afatet kushtetuese; 3. Demarkacioni duhet të kalojë; 4. Asociacioni duhet të themelohet.

Në këtë mënyrë është zhveshur në tërësi gjithë ajo retorikë pseudopatriotike që në emër të interesave shtetërore dhe kombëtare synuan ta izolonin Kosovën, synuan ta zhvendosnin nga konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik euro-atlantik, si dhe që synuan të destabilizonin vendin, e bashkë me këtë retorikë, ka zhveshur nga demagogjia dhe hipokrizia politike edhe bartësit dhe shpërfaqësit e kësaj retorike. Në këtë mënyrë u bë e qartë se kushdo që synon rrënimin e procesit të transfomimit të FSK-së në FA pa ndryshime kushtetuese dhe pa bashkërendim me SHBA-të dhe NATO-n; kushdo që mëton ta destabilizojë vendin dhe ta çojë në zgjedhje, duke keqpërdorur edhe Demarkacionin dhe Asociacionin, bien ndesh me proceset e filluara bashkë me aleatët strategjikë në krye me SHBA-të, e për pasojë edhe është në funksion të axhendave kundërintegruese, kundërdemokratike, luftënxitëse dhe kundërshtetërore të Kosovës.