Hoyt Brian Yee në Tiranë, zbardhet axhenda e takimeve

15.05.2017 09:22:05

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Hoyt Brian Yee paraditen e kësaj të hëne ka për të zhvilluar takime të rëndësishme në Tiranë.  Hoyt Brian Yee ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e së dielës  dhe takimin e parë do ta zhvillojë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas e përmbyll me dy deputetë të Partisë Demokratike, Astrit Patozin dhe Majlinda Bregun.  Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.

Axhenda e takimeve

Në orën 10:30 takim me Ramën

Në orën 11:30 takim me Metën

Në orën 14:45 takim me Bashën

Në orën 17:00  takim me Patozin dhe Bregun

Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendësndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.