Hulumtimi i “Finance Think” dëshmon se nxënësit në Maqedoni mësojnë për nota më të mira e jo për dituri

07.09.2017 21:41:35

Hulumtimi i kryer nga organizata qytetare “Finance think” tregon se mësimdhënësit të cilët përdorin metoda të diskutimeve dhe debateve kanë nxënës me arritje më të larta.

Konkluzioni nga hulumtimi i titulluar “Pesa në ditar – njëshe në PISA: Pesë prioritete për përmirësim të cilësisë në arsimin fillor” është ajo se në Maqedoni vazhdojnë të dominojnë metodat tradicionale të mësimdhënies, ku mësimdhënësi është përcjellës i diturisë, ndërsa nxënësi është vetëm pranues pasiv dhe sipas ekspertëve të arsimit, pikërisht këtu duhet të kërkohen shkaqet për notat e ulëta në testet e PISA-s.

Sipas anëtares së Qendrës për hulumtim dhe krijim të politikave, Ana Micovska-Raleva, e cila është pjesë e ekipit hulumtues, rezultatet e analizës PISA tregojnë se motivimi i nxënësve është element kyç, se ato më së shumti mësojnë për nota të mira dhe për të kënaqur prindët e tyre, por jo për dije. Ndërsa mësimdhënësit, thotë ajo ndjehen të papërfshirë në reformat e arsimit por edhe të papërgatitur për ato ndryshime.

“Jam e brengosur për shkak të rezultateve të këqija në testet ndërkombëtare dhe mos ndërmarrjen e aktiviteteve për përmirësimin e aspekteve që kontribuojnë më së shumti në arritjen e këtyre rezultateve negative të cilat duhet të jenë temë me qasje serioze. Maqedonia deri më tani ka marrë pjesë në shumë matje ndërkombëtare me të cilat vërtetohet pozita e cilësisë së arsimit të Maqedonisë dhe procesi arsimor në krahasim me shtetet tjera që kanë arritje më të mira, si dhe cilët janë faktorët vendimtarë në arritje e rezultateve më të mira në këto teste, ku nxvnësit nga MAqedonia ishin nën mesataren”, tha Ministrja e arsimit, Renata Treneska-Deskoska.

Si masë të parë që është ndërmarrë Treneska-Deskoska përmendi intervenimin në rritjen e buxhetit për vitin 2018. Ajo tha se shumica e sendeve që duhet të ndryshohen kanë të bëjnë me motivimin e nxënësve, por edhe të mësimdhënësve, me kreativitetin në punë dhe mësim, me nismat e ndryshe për ndjekje të trendeve bashkëkohore në arsim dhe shfrytëzimi i metodave bashkëkohore, duke cekur se për këto ndryshime nuk duhet ndryshim i ligjit, por ndryshim në qasjen ndaj procesit edukativo-arsimor dhe mentalitetit të pjesëmarrësve në këtë proces.