Huqja e IKSHPK-së: Tha se një 31 vjeçar vdiq nga COVID-19, por në fakt ai ishte 72 vjeç

18.11.2020 18:23:06

Gjatë 24 orëve të fundit u konfirmuan 720 raste të reja të prekur me COVID-19.

Në njoftimin e Institutit Shëndetësorë Publik të Kosovës që u publikua sot u bë e ditur se si pasojë e koronavirusit kanë humbur jetën 11 persona.

Në mesin e viktimave nga COVID-19, thuhej se është një 31 vjeçar nga Komuna e Mamushës,  gjë që del të jetë gabim në publikimin e IKSHPK-së.

Nëse shikohet publikimi i bërë në Facebook nga IKSHPK vërehet se postimi është edituar, pasi personi që ndërroi jetë nga komuna e Mamushës është 72 vjeçar, raporton lajmi.net.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 4 raste (81, 79, 72, 72 vjeç), Istog 1 rast (51 vjeç), Klinë 1 rast (63 vjeç), Mamushë 1 rast (72 vjeç), Mitrovicë 1 rast (84 vjeç), Pejë 1 rast (70 vjeç), Prishtinë 1 rast (76 vjeç), Viti 1 rast (74 vjeç)”, thuhet në njoftimin e edituar.

Ndërsa lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Malishevës, Rujdi Mazreku.

“Sot me datë 18.11.2020 Ministria e Shëndetësisë-IKSHP gjatë raportimit të numrit të rasteve ditore dhe vdekjet nga Covid-19 ka njoftuar se ka vdekur një i ri  31 vjeçarë nga Komuna e Mamushës!Me këtë ne Ju demantojmë për këtë lajm pasi që sot në Komunën e Mamushës nuk ka asnjë vdekje  natyrale ashtu edhe asnjë vdekje nga covid-19.Rasti në fjalë është se, dje ka qenë një rast ku fatkeqësisht ka humbur jetën një 72 vjeçare”, thuhet në reagim.

Ndryshe numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 anembanë vendit ka arritur në 31 mijë e 215 raste. Raste aktive nga të gjithë këta të infektuar janë gjithsej 12 mijë e 8 raste.