Hyka mahnit Amerikën, gol alla Messi

21.05.2017 15:11:37

Jahmir Hyka mahnit Amerikën. Futbollisti i kombëtares shqiptare realizoi një gol alla Messi pas një aksioni në versionin Barcelona, për ti dhënë tre pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij San Jose Earthquakes në Major League Soccer. Ky ishte goli i tretë për Jahmir Hykën në tokën e premtuar me kuqeziun që në vetëm pak muaj është shndërruar në një futbollist shumë të rëndësishëm për formacionin e kalifornian që drejtohet nga trajneri Dominic Kinnear. Duhej një magji e 29-vjecarit shqiptar në minutën e 81-të të sfidës që Dallas skuadra më e mirë deri tani në Konferencën e Perëndimit të pësonte humbjen e parë sezonale.

Hyka i cili e nisi sfidën që nga fillimi përvec se ishte frymëzuesi i pjesës më të madhe të aksioneve sulmuese që ndërtonte San Jose Earthquakes, 9 minuta përpara fundit finalizoi në mënyrë spektakolare një aksion model të skuadrës mike. I shërbyer nga Urena, shtatshkurtri shqiptar shmangu me një gjest të lart teknik një mbrojtës të Dallas-it dhe i ndihmuar edhe nga shtylla mposhti portierin Gonzales për një gol spektakolar dhe që e ngjiti San Jose-në në kuotën 19 pikëve po aq sa edhe Dallas që gjithsesi ka zhvilluar 3 ndeshje më pak. Falë edhe Jahmir Hykës, skuadra kaliforniane po fluturon drejt kualifikimit në play-off, pas një sezoni vërtet të dobët që zhvilloi vitin e kaluar. Vetëm pak javë përpara duelit shumë të rëndësishëm që kombëtarja shqiptare do të ketë ndaj Izraelit, Gianni De Biasi ka marrë një sinjal të rëndësishëm nga Jahmir Hyka, me këtë të fundit që synon të aktivizohet si titullar në atë sfidë.