Hyka shënon gol, por San Jose humb me Vancouver-in

26.08.2018 16:29:22

Një sezon i vështirë për Jahmir Hykën dhe San Jose Earthquakes, por të paktën për mesfushorin shqiptar po mbyllet në mënyrën më të mirë.

Në mëngjesin e së dielës, San Jose u ndesh me Vancouver, duke pësuar një humbje të hidhur 3-2, që e gozhdon në fundin e tabelës.

Ishte Hyka ai që hapi serinë e golave, me një gjuajtje të bukur në hyrje të zonës, duke gjetur këndin e djathtë të portierit mik. Në minutën e 15-të San Jose shënoi edhe golin e dytë, me 11-metërsh, ndaj u duk një mbrëmje perfekte.

Megjithatë, në pjesën e dytë Vancouver barazoi me dy gola në harkun e dy minutave, 59 e 61, ndërsa Jahmir Hyka u zëvendësua në minutën e 65-të. Tre minuta më vonë erdhi edhe goli i fitores për miqtë, që morën tre pikë të arta, sepse janë në garë për një vend në play-off, ndryshe nga San Jose, që tashmë e ka përfunduar sezonin.

Për Hykën ky fund sezoni po rezulton i shkëlqyer, sepse ka qenë titullar në 6 nga 7 ndeshjet e fundit, ku ka shënuar dy gola dhe ka qenë mjaft aktiv, duke u kthyer në formë perfekte në aspektin fizik. Për 30-vjeçarin ndeshjet e mbetura janë të rëndësishme për të treguar se meriton të konfirmohet ose të gjejë ndonjë ekip edhe më të fortë, ndërsa diskutimi kombëtare duket i mbyllur për shkak të largësisë, me udhëtimin nga Amerika që i kushton shumë fizikisht dhe në aspektin e kohës shtatshkurtrit.