Hykmete Bajrami: Jemi të sigurt në fitore

20.05.2017 21:59:35
Anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se koalicioni i tyre me partitë tjera, AKR dhe Alternativa është koalicioni më i mirë.
Kjo pasi sipas saj, ky koalicion është i bazuar në programe.

“Kryeministri pas 11 qershorit do ta ketë ekskluzivitetin ta tregojë atë për publikun e gjerë”, ka thënë Bajrami në Magazina Zgjedhore në Klan Kosova.

Puna sipas saj po shkon shumë mirë prandaj edhe besojnë në fitore.

“Nga ajo çka po shohim në terren, jemi shumë të sigurt në fitoren tonë”, ka pohuar Bajrami.

“Jemi shumë mirë të organizuar”, theksoi ajo.

Ajo më tej ka thënë se e kanë shumë të lehtë që të kërkojnë edhe vota, pasi që në Qeverinë e fundit ka thënë se kanë bërë punë të mira.

Në mbrëmjen e së martës së javës së kaluar, në rezidencën e Behgjet Pacollit, LDK dhe AKR kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

LDK ka lidhur koalicion edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR-ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.

Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Isa Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të inicuar nga Nisma.