Hysaj i revoltuar me VAR-in

04.03.2019 13:37:45

Elseid Hysaj ka komentuar në zonën miks ndeshjen me Juventusin, që u kushtëzua që në pjesën e parë nga një episod, që ka hapur diskutime. Sipas mbrojtësit shqiptar, kryesori duhet të kishte thirrur në ndihmë varin, pasi, sipas tij, Meret nuk e ka prekur Ronaldon.

“Pa kartonin e kuq të Meret, me siguri ndeshja do të kishte shkuar më mirë për ne. E dimë të gjithë që rregullorja thotë se nëse kundërshtari nuk e arrin topin, nuk mund të ketë karton të kuq. Arbitri duhet të kishte kërkuar që të shiheshin pamjet. Nuk e bëri dhe kushtëzoi të gjithë ndeshjen me vendimin e tij.”

Europa League: Sigurisht që edhe Europa League është një objektiv shumë i rëndësishëm për ne. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshje e radhës me Salzbourgun, pastaj duhet të shohim ndeshje pas ndeshje se ku do të arrijmë në Serinë A.

16 pikë diferencë me Juven: Në fushë nuk dallohet kjo diferencë që është në klasifikim. Në pjesën e dytë kemi luajtur vetëm ne. Jemi të hidhëruar që nuk arritëm të shënonim më shumë.

Sistemi “VAR”: Nuk ka kuptim ta kesh sistemin “VAR” nëse gjyqtarët në fushë nuk e përdorin.