I akuzuari për terrorizëm arrestimin e tij e ndërlidh me ‘ngërçin politik’ në Kosovë

17.04.2018 19:43:45

Pesë të akuzuar për terrorizëm kanë dhënë mbrojtjen në seancën e sotme rreth akuzave të Prokurorisë Speciale se morën pjesë në grupe terroriste në Siri.
Tre nga të akuzuarit, Besim Shabani, Egzon Latifi dhe Artan Kadriu, shfrytëzuan të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Por, dy të akuzuarit e tjerë, Bekim Halili dhe Jeton Hajdini zgjodhën që të flasin para Gjykatës për atë që ata thanë se është e vërteta.

I akuzuari Bekim Halili fillimisht u mor në pyetje nga avokati i tij, Betim Shala.

Sipas Halilit, arrestimi i tij ka ardhur si pasojë e politikës asokohe, “me qëllim që të tërhiqet vëmendja nga ngërçi politik”.

“7 muaj para arrestimit jam marrë në pyetje nga hetuesi anti-terror Kris Gjoka, i cili ka konstatu: “Nuk të ndjek ligji, vetëm mos shko më, e di që ke qenë në Ushtrinë e Lirë Siriane”, si dhe më tha: “Vazhdoje jetën, ke mu kanë i lirë” dhe ashtu kam vepruar. Pastaj ka ndodhur arrestimi, që mendoj që ka qenë i iniciuar politikisht. Ka ndodhë ngërçi politik dhe për me tërhekë vëmendjen gjoja se Kosova ka probleme më të mëdha”, tha ai duke shtuar se nuk ka bërë asnjëherë ndonjë veprim inkriminues.

Pas kësaj deklarate të tij, avokati Shala kërkoi nga trupi gjykues që polici hetues Gjoka të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo një kërkesë e tillë u refuzua nga trupi gjykues në krye me gjykatësen Suzana Çerkini.

Kundrejt këtij aktvendimi reagime pati avokati Shala, i cili tha se mbrojtjes po i cenohet e drejta me refuzime të tilla.

I akuzuari Halili vazhdoi me dëshminë e tij duke treguar për kohën kur ka shkuar në Siri dhe çka e shtyu atë që të marrë atë rrugëtim.

“Kam shkuar në fund të shkurtit 2013 e deri në fund të qershorit të atij viti. Më 1 ose 2 korrik kam ardhë në shtëpi. Shkova në Siri tu e pa përkrahjen haptas që është bërë nga krerët e shtetit, Bashkësia Islame. Nuk kam parë ndalesë që e sanksionon një gjë të tillë”, tha Halili.

Ai theksoi se në Siri ka hyrë në mënyrë legale së bashku me punëtorët e Organizatës Humanitare Shtetërore të Turqisë.

I pyetur se a ka dëgjuar në atë kohë për një grup terrorist të ashtuquajtur ISIS, i njëjti tha se për këtë të fundit ka dëgjuar pas kthimit të tij nga Siria.

Sipas tij, gjatë kohës sa ka qëndruar në Siri është marrë me shpërndarjen e ndihmave në kamp të refugjatëve.

“Nuk kam marrë pjesë asnjë ditë në luftime, as s’kam qenë i rrezikuar, e as dikush nga unë nuk ka qenë i rrezikuar”, shtoi ai.

Pas avokatit të tij, në pyetje e mori prokurori i çështjes Abdurrahim Islami.

“Në telefon të juajin gjenden foto te flamurit të ISIS- it dhe i ‘Al Qaeda’, a është e vërtetë kjo?”, ishte pyetja e prokurorit.

“Jo, absolutisht nuk është e vërtetë. As nuk kam pasë, as nuk kam postu, veç ndoshta e kanë gjetë në internet”, u përgjigj i akuzuari.

Por, prokurori Abdurrahim Islami nuk arriti që në shkresa të lëndës të gjejë dhe prezantojë në sallë të Gjykatës këtë foto, por citoi një pjesë të deklaratës kur i akuzuari është marrë në pyetje nga prokurori që ka ngritur aktakuzën, ku sipas prokurorit Islami është konstatimi se nga ekzaminimi i telefonit të tij shihet flamuri i ISIS dhe ai i ‘Al Qaeda’-s.

Avokati Betim Shala reagoi se deklarata e prokurorit për fotografinë e të mbrojturit të tij me flamur të ISIS dhe ‘Al Qaeda’-s është e pambështetur në prova materiale.

“Unë dhe familja ime me këtë aktakuzë jemi të dëmtuar shpirtërisht, fetarisht. Ne gëzojmë respekt dhe autoritet të lartë në vendbanimin ku ne jetojmë”, tha i akuzuari për fund.

Pas tij, dëshminë e dha i akuzuari Jeton Hajdini, i cili u mor fillimisht në pyetje nga avokati i tij Muhamet Humolli.

I pyetur se ku është shkrepur fotografia e tij me armë në dorë, ai u përgjigj se është fotografuar në Shalë të Bajgorës me armë të gjuetarëve.

“E di edhe vendin ku kam dalë po asnjëherë nuk më keni pyet. E di edhe lisat ku janë në atë vend. Përpara kam qenë gjuetar por ma patën marrë llovaçkën, tash dal vetëm për qejf”, tha ai duke mohuar në tërësi të ketë shkuar në Siri ndonjëherë në jetën e tij, e madje as në Turqi.

Madje, ai në sallë të Gjykatës deklaroi se në kohën kur Prokuroria pretendon se ka qenë në Siri, ai ka qenë duke punuar si rojtar i një xhamie në Kosovë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, avokati i Artan Kadriut, Ahmet Gjinovci, kërkoi lirimin nga paraburgimi të klientit të tij.

Një gjë të tillë e kundërshtoi fuqishëm prokurori special, duke theksuar se gjatë kohës sa i njëjti ka qenë nën masën e arrestit shtëpiak, ai e ka keqpërdorur të njëjtën duke u larguar nga shtëpia për në Siri.

“Me liru është sikur me i thënë ‘shko edhe njëherë (në Siri)’. Kanë shkuar disa herë me kërku në arrest shtëpiak nuk ka qenë, më vonë është konstatuar se i njëjti ka qëndruar në Siri deri më 23 maj të vitit 2016 prej marsit, duke u larguar nga Kosova deri sa ka qenë në arrest shtëpiak, ku edhe është ndaluar nga qendra e emigracionit”, tha Islami.

Kjo kërkesë u refuzua nga trupi gjykues, me ç‘ rast dhe u caktua seanca e radhës ku edhe do të dëshmojë i akuzuari Hadi Nura, e më pas do të procedohet me fjalë përfundimtare.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.