I akuzuari për terrorizëm u kërkon hallallin shokëve

15.05.2018 21:08:55

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për përgatitje të sulmit terrorist gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Izrael palët kanë dhënë fjalën përfundimtare.

Prokurorja speciale Merita Bina- Rugova tha se është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor se të njëjtit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, ku si rezultat i ballafaqimit me këto prova, disa nga të akuzuarit edhe e kanë pranuar fajësinë.

Kujtojmë se tre nga të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë.

Artan Ahmeti e ka pranuar fajësinë qysh në shqyrtimin fillestar.

Po ashtu, Kenan Blakaj dhe Besart Peci e kanë pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Madje prokurorja konsideroi si arritje faktin se sulmet e planifikuara nga ta janë parandaluar, por se duhet të jetë shqetësues fakti se të njëjtit kanë qenë të mbushur me ideologji militante në atë masë sa kanë qenë të gatshëm që të zgjerojnë luftën e tyre edhe në territorin e Ballkanit “edhe nëse këtë e paguajnë me jetë”.

Ndër të tjera, prokurorja ritheksoi si në seancat e kaluara se të akuzuarit kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e ISIS- it.

“Visar Ibishi ka pranuar se ka vepruar si dora e zgjatur e Lavdrim Muhaxherit prej të cilit e ka marrë detyrën për eksplozivin, të hollat dhe instruksionet… Lulzim Gashi pretendohet të ketë komunikuar me Lavdrim Muhaxherin përmes rrjetit social ‘Facebook’, ku Muhaxheri ka pasë emrin e profilit Abdul Melek”, janë disa nga rastet që prokurorja i përmendi në sallë të Gjykatës, raporton Kallxo.com.

Ajo theksoi se një provë tjetër që ka vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale është fotografia e gjetur në telefonin e Leotrim Vojvodës, i cili pretendohet të ketë vizituar stadiumin në Shkodër.

“Disa ditë pas shkuarjes së tyre në Shkodër policia e Kosovës ka zbatuar masat e fshehta. Njëra nga masat e zbatuara ka qenë regjistrimi i thirrjeve telefonike, mënyra e zakonshme e komunikimit mes të akuzuarve ka qenë me anë të internetit, por në këtë periudhë kanë pasur edhe kontakte të shpeshta telefonike”, vazhdoi prokurorja.

Bina- Rugova lexoi edhe një rresht nga shkresat e lëndës, ku sipas Prokurorisë i akuzuari Ibishi ka treguar mënyrën se si do të aktivizojë eksplozivin.

“Kam pasë plan me vendosë eksploziv diku jashtë stadiumit dhe posa të afrohen shikuesit jahudi ta aktivizoj eksplozivin duke gjuajtur me armë në drejtim të eksplozivit”, lexoi prokurorja speciale nga shkresat e lëndës.

“S’o puna bash mirë, truprojat para dere po m’rrin”, e ka lajmëruar Visari Leotrim Gashin kur ka hasur në vetura të policisë vëzhguese.

Tutje, sipas prokurores, biseda mes tyre ka vazhduar duke spekuluar se cili nga anëtarët e grupit ka qenë tradhtar. Madje i akuzuari Visar i ka thënë Leotrimit se po mendon të arratiset, por që ky plan i ka dështuar pasi që është arrestuar më vonë.

Sa i përket të akuzuarve që nuk e kanë pranuar fajësinë, prokurorja speciale tha se ky fakt duhet të merret parasysh me rastin e matjes së dënimit meqenëse përkundër provave të shumta, të njëjtit nuk kanë treguar ndonjë rast të pendimit.

Pas prokurores speciale, avokatët mbrojtës të atyre të akuzuarve që nuk e kanë pranuar fajësinë kërkuan nga Gjykata që të nxjerrët aktgjykim lirues për klientët e tyre.

Përpos avokatëve, në sallë të gjykatës folën edhe vetë të akuzuarit.

I akuzuari Leotrim Vojvoda tha se aktakuza përmban informata të pavërteta si dhe se “ka pasë devijime”.

Ai theksoi se gjatë marrjes në pyetje në Polici, kërcënimet nga ana e zyrtarëve policorë kanë qenë të mëdha.

“Deklarata të cilën e kam dhënë në polici është thënë se unë kam hyrë, jam ulë, kam deklaru dhe kam ecë. Por rrethanat kanë qenë se hetuesit, non stop ka pasë kërcënime, me çdo kërcënim gjithmonë është ngritë presioni, nuk kam pasë mbrojtës. Bile-bile edhe kanë filluar me më marrë në pyetje pa ardhë avokati im”, tha ai.

“Nuk ma kanë kursy familjen. E kanë marrë vëllaun tem, ka ardhë tu kajtë në dhomën e interevistimit, e kanë pru pa lejen tem, më kanë thënë: ‘A e pave që po mërziten në shtëpinë tënde?”, vazhdoi deklaratën i akuzuari, duke pretenduar se pas 6 orëve presion, është pajtuar me të gjitha ato se çfarë i kanë thënë zyrtarët policorë vetëm pasi që ishte lodhur.

Si rezultat i pranimit të pretendimeve të Policisë, i akuzuari Vojvoda tha se ka dëmtuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, me ç‘ rast edhe u kushtoi disa rreshta të kërkim faljes atyre në sallë të Gjykatës.

“Po du mi kërku falje Visar Ibishit, Leotrim Musliut dhe Flamur Gashit për dëmet eventuale që i kam shkaktu. Ma bëni hallall! Unë jam penduar për veprimet e detyruara nga hetuesia të cilat më kanë dëmtuar mu së pari, e më pas të tjerët”, tha ai.

Për fund, Vojvoda, tha se dëshiron të vazhdojë një jetë normale e jo të vrasë njerëz, duke theksuar se ka pasur mundësinë që të kryejë sulm terrorist këtë një vit e gjysmë.

Pas të akuzuarit Vojvoda, radhën nga të akuzuarit e kishte Visar Ibishi, i cili tha se ka qenë i habitur nga ofertat që ka marrë nga Policia në këmbim të bashkëpunimit. Kështu ai ka përmendur rroga mujore, shtëpi, e madje edhe vila.

“Më shumë se 10 vite luftohet islami dhe askush nuk është akuzuar. Ne një fjalë e folim dhe akuzohemi. Njerëzit që e praktikojnë fenë si çifti i prokurorisë dhe policisë nuk munden me na tregu çka është terrorizmi”, tha Ibishi.

Në të njëjtin kontekst u deklarua edhe i akuzuari Burim Istrefi.

“Krejt çka dinin (policia) për mua ishte se isha mysliman dhe e praktikoj këtë fe dhe kjo u mjaftoi për të më akuzuar”, tha Istrefi.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet, me dashje kanë pranuar thirrjen e  Lavdrim Muhaxherit, ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS, për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbolli për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.