I dënuari me 25 vjet burgim për vrasjen e mikut kërkon nga Apeli zbutjen e dënimit ose rigjykim të rastit

23.02.2018 13:22:51
I dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e mikut të tij si dhe për armëmbajtje pa leje, Ekrem Jonuzi, përmes dy avokatëve të tij, Naim Aliut dhe Gjuran Demajt, ka kërkuar që dënimi ndaj tij të zbutet ose rasti të kthehet në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator të vitit të kaluar, të akuzuarin Jonuzi e kishte shpallur fajtor për veprat penale, vrasje e rëndë  dhe armëmbajtje pa leje.

Jonuzi, për vrasjen e vëllait të bashkëshortes së tij, ishte dënuar nga gjykata me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me një 1 vit e 6 muaj burgim.

Për këto dy vepra, gjykata e shkallës së parë, të akuzuarin Jonuzi e kishte gjykuar me dënim unik prej 25 vjetësh burgim.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Jonuzi, avokati Naim Aliu.

Në ankesën e avokatit e Aliu, që në pika e shkurtra e lexoj gjykatësi referues Xhevdet Abazi, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, pasi që dispozitivi i aktgjykimit nuk është përpiluar sipas nenit 370 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, sipas ankesës së avokatit Aliu, gjykata e shkallës së parë nuk ka marr fare parasysh motivet e të akuzuarit për kryerjen e veprës për të cilën akuzohet ashtu siç nuk ka marr parasysh as kërkesat e mbrojtjes për bërjen e një ekspertize mjekësore për të akuzuarin Jonuzi.

Me këtë ekspertizë, mbrojtja pretendon se do të dilej në përfundim, se i akuzuari Jonuzi, vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike.

Duke marr parasysh se ky rast ka ndodhur brenda familjes, si dhe i plagosur në ditën kritike ka mbetur edhe vëllai i të akuzuarit, mbrojtja pretendon se dënimi prej 25 vitesh është shumë i rëndë, pasi që e dëmtuar në gjithë këtë rast ka mbetur edhe vet familja e të akuzuarit.

Andaj, për këtë arsye, avokati Naim Aliu ka kërkuar nga kolegji i Apelit që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i butë.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka bërë edhe mbrojtësi tjetër i të akuzuarit, avokati Gjuran Demaj, mirëpo i njëjti ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve që i njëjti pretendon se ka bërë gjykata e shkallës së parë.

“Ky aktgjykim është marr me shkelje esenciale të dispozitave procedurale. Nuk ka asnjë fakt relevant që vërteton aktgjykimin e themelores. Aktgjykimi është bazuar në prova të hetuesisë e jo në prova që janë nxjerrë gjatë shqyrtimit gjyqësor”, tha në fjalën e tij, avokati Demaj.

Tutje sipas Demajt, provat që janë përshkruar në aktgjykimin e shkallës së parë janë kundërthënëse me njëra tjetrën.

“Edhe nëse vërtetohet fajësia e të mbrojturit tim, në këtë rast, nuk mund të kemi vrasje të rëndë siç është cekur në aktgjykim, por vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së thellë psikike, pasi që i akuzuari ka qenë i ofenduar nga ana e tanimë të ndjerit Basri Krasniqi”, shtoi avokati Demaj.

Gjithashtu, sipas mbrojtjes, shkalla e parë me rastin e shqiptimit të dënimit, nuk ka marr parasysh fare rrethanat lehtësuese për të akuzuari, siç janë fakti se i njëjti është prind, është mbajtësi i familjes, nuk ka qenë më parë i dënuar dhe se ka shpreh keqardhje për veprën e kryer.

Duke u bazuar në të gjitha këto shkelje që pretendon mbrojtja se ka bërë shkalla e parë, avokati Demaj, kërkoi që rasti të kthehet në rigjykim.

Në anën tjetër, refuzimin e ankesave të mbrojtjes dhe vërtetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë si të bazuar, e kërkuan përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Hamit Gashi si dhe prokurori i Apelit, Idain Smajli.

Sipas tyre, dënimi i shqiptuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është adekuat me veprën e kryer dhe ky aktgjykim nuk është përcjell me shkelje siç pretendon mbrojtja.

Ekrem Junuzi, akuzohet se më 8 mars të vitit 2014, në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta vëllain e saj, Bastri Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Jonuzi pasi që ka tentuar të gjej zgjidhje për këto mosmarrëveshje me Bastri Krasniqin, vëllain e bashkëshortes në një kafiteri të Prishtinës, ku prezent kanë qenë edhe djali dhe vëllai i të pandehurit dhe derisa të njëjtit ishin duke u kthyer nga kafiteria, më të arritur tek shtëpia e vëllait të Jonuzit, i pandehuri ka dal nga vetura e tij dhe iu ka afruar veturës së djalit të tij ku gjendej Bastri Krasniqi, ka hapur derën e veturës dhe me dashje që ta privoi nga jeta e ka shtënë tre herë me armë zjarri, në drejtim të tashmë të ndjerit, në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e këtyre të shtënave, Krasniqi kishte mbetur i vdekur, derisa një plumb e kishte goditur në këmbë edhe vëllain e tij, Fejzi Jonuzin, të cilit i është shkaktuar lëndim i rëndë trupor.