I sëmuri mendor terrorizon qytetarët në Fier

22.08.2016 11:03:00

Në një nga lagjet e qytetit të Fierit banorët apelojnë për ndihmë për të sëmurët mendorë që po krijojnë probleme në jetën e tyre të përditshme. Ata shprehen se një i sëmurë mendor po terrorizon të gjithë banorët që i dalin para.

I braktisur nga motra e tij Elisabeta dhe i marrë nën kujdestari nga vëllai Niko, 53-vjeçari Qirjako Ferti nga Fieri, i diagnostikuar me sëmundje mendore të shkallës së parë është kthyer prej kohësh në shqetësim për banorët e lagjes “Kastriot”, në Fier.

Por jo vetëm banorët e kësaj lagjeje, por edhe qytetarë të ndryshëm pohojnë se i sëmuri shfaq rrezikshmëri të lartë në komunitet.

“Ai jo vetëm kryen veprime të turpshme, zhveshje në publik, por është agresiv, shkakton panik, frikë dhe pasiguri, për të gjitha grupmoshat”, pohojnë ata. 53-vjeçari i sëmurë jeton një katin e parë të një pallati në një nga kryqëzimet e kësaj lagjeje.

“Sapo del nga banesa nis dhe kryen ritualin e tij të zakonshëm. Zhvishet në publik, ulëret dhe kryen veprime të pakontrolluara dhe të frikshme”, shprehen qytetarët fierakë.

Denoncimet

“Është një person i sëmurë. Ne e dimë gjendjen e tij shëndetësore, por shumë herë ai ka goditur edhe më gurë banorë dhe kalimtarë të ndryshëm në lagje”, thotë një grua e moshuar banorë e lagjes “Kastrioti”. “I kemi kërkuar familjarëve të tij që të marrin masa për ta izoluar ose dërguar për mjekim.

Por, këta të fundit nuk arrijnë ta izolojnë në shtëpi. Ai përditë vazhdon ritualin. Tani që ndodhi edhe ngjarja e tmerrshme në Palasë, shteti duhet të ndërhyjë dhe të izolojë këta të sëmurë. Mos e dhëntë zoti kemi marrë frikë dhe tmerr Gjithçka mund të ndodhë”, shprehet më tej e moshuara.

“Kam punuar dhjetëra vjet në Santorini, në një ishull në Greqi. Erdha këtu në Shqipëri dhe investova këto dy vjet gjithë paratë e fituara në punën time me djersë. Por, kam gjetur veç vështirësive të tjera edhe problemin me gjitonët e mi”, thotë një administrator i një picerie që është ndërtuar ngjitur me pallatin ku banon i sëmuri mendor.

“Është antinjerëzore të flasësh në këtë gjuhë. E kam mbështetur e përkrahur, madje edhe me ushqim i kam dhënë gati përditë këtij të sëmuri, Qirjakos.

Por ai është i papërgjegjshëm. Vajza ka frikë. Familja po ashtu. Vjen papritur brenda lokalit, turfullon lëviz me vrap sa andej dhe këndej dhe më krijon probleme. Kam lajmëruar policinë në disa raste, e cila ka mbërritur dhe më ka këshilluar të mos e “ngacmoj” unë.

Unë kërkoj ndihmë nga shteti dhe ky i fundit më thotë mos e ngacmo të sëmurin sepse ai nuk të shqetëson po nuk e shqetësove. Këtu në Shqipëri duhet të ndodhë diçka e tmerrshme që shteti të ndërhyjë”, vazhdon më tej administratori i kësaj picerie.“Tani që ndodhi krimi makabër në atë familje fierake, ku një fëmijë u masakrua, çfarë pret më shteti? Pse nuk ndërhyn të ushtrojë mjekimin e detyruar ndaj kësaj kategorie të sëmurësh? Ata janë të pandërgjegjshëm.

Por shteti nuk duhet të bëhet më i papërgjegjshëm se sa këta. Jam gati të shes biznesin dhe të iki larg që këtu. Të marr një shtetësi tjetër dhe të harroj përfundimisht shtetësinë time shqiptare. Kur unë nuk zgjidhem prej shtetit që i paguaj dhe taksat e detyrimet, kush duhet të më mbrojë mua dhe familjen time?”, përfundon ai i indinjuar.

Ndër kohë, banorët e kësaj lagjeje kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për të mos pësuar tragjedi të ngjashme si ajo e Palasës. “Ne nuk jemi kundër kësaj kategorie njerëzish të sëmurë. Por kërkojmë që të merren masa për të mos pësuar tragjedi të reja mes nesh dhe në familjet tona”, pohojnë ata.

Vëllai i të sëmurit mendor

I vëllai i Qirjakos, Niko Ferti tregon për “Shekullin” se po bën të pamundurën që ta mbajë të izoluar vëllanë dhe të përkujdeset për atë. “E kam të pamundur të sistemoj vëllanë e sëmurë. Ai del nga shtëpia dhe është agresiv, sidomos në këto ditë të nxehta. Nuk pranon që të marrë dhe ilaçet për sëmundjen që ka. Tre javë më parë e dërgova në spitalin Psikiatrik në Vlorë. Mori mjekimin, ishte i qëndrueshëm dhe sillej qetë. Tani situata është agravuar.

Edhe mua më çjerr me thonj”, pohon ai dhe tregon krahët e gjakosur dhe me shenja gërvishtjeje prej thonjve. “Në shtëpi shkatërron gjithçka. Djeg me cigare edhe dyshekët e vjetër. Shkurt është i dhunshëm. Ka nevojë për mjekim. Varfëria dhe mungesa e mjekimit e kanë çuar në këtë gjendje”, thekson më tej Niko Ferti. Në fakt ai merr një pagesë nga shteti për kujdestari. “Nuk më del kjo pagë as për t’i paguar ilaçet, energjinë dhee ujin. Më parë kujdestare ishte e motra Elisabeta. Ajo u lodh dhe u largua. Tani jam unë. Kam nevojë për ndihmë që të mbaj vëllanë”, vazhdon ai.