I vëllai në stres dhe tension, por Olsi Rama feston me Partizanin

12.05.2019 21:06:58

Në një moment që i vëllai i tij, kryeministri i Shqipërisë, është në një moment të keq politik, për shkak të protestave të dhunshme të opozitës, Olsi Rama është në delir, pasi Partizani i tij ka fituar sot titullin kampion pas 26 vjetësh pritje.

Drejtori i të kuqve, ka qenë protagonisti i suksesit të skuadrës kryeqytetase, e cila ka fituar titullin e 16 në histori.

Olsi Rama ka zbritur në fushë, ka takuar lojtrë e trajnerë, tifozë dhe dashamirës, duke qeshur dhe festuar, si për të lënë të kuptojë që në familjen e tij nuk ka vetëm momente të këqija.

Por nëse beteja e tij sportive sapo ka nisur me suksesin e parë në karrierë nën drejtimin e Partizanit, ajo e vëllait të tij është akoma në zhvillim, sepse opozita shqiptare, e cila ka thirrur nesër protestën e pestë kombëtare, nuk ka ndër mend ta lërë në pushtet Edi Ramën.

Sa i takon ndeshjes, “Demat e kuq” u imponuan 2-1 ndaj Tiranës në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një përballje emocionuese që përveçse zyrtarizoi fronin, detyroi rivalët bardheblu të komplikojnë rrugën e mbijetesës.

Ëndrra e çdo tifozi të Partizanit u materializua me vërshëllimën e fundit në tapetin e blertë në kryeqytet, aty ku skuadra e trajnerit Gega mori fitoren duke rrëmbyer edhe titullin, 3 javë nga fundi.

Tirana ndërkohë sheh për herë të dytë në histori t’i afrohet makthi i rënies, pasi fitoret e Luftëtarit dhe Kastriotit intrigojnë finalen e sezonit.