IBRAHIM RUGOVA DHE JETA E TIJ INTELEKTUALE DHE PERSONALE SIPAS NJOHJËS SË NGUSHTË NGA MUHAMET HAMITI

02.12.2019 12:43:29

Nga: Muhamet Hamiti

Po të ishte gjallë, Presidenti Ibrahim Rugova do të mbushte 75 vjet sot, më 2 dhjetor 2019. Rugova, ka ndërruar jetë në moshën 61-vjeçare.

Dijetari i letërsisë (Dr. Rugova, siç njihej atëherë) hyri këmbë e krye në jetën politike para tridhjetë vjetësh, në dhjetorin e vitit 1989. Ibrahim Rugova i priu lëvizjes pavarësiste shqiptare që u kurorëzua me Republikën e pavarur të Kosovës, që do ta njohë atë si Presidentin historik, Atin Themeltar të shtetit tonë.

Ibrahim Rugova (1944-2006) doli pashmangshëm njeriu që në dhjetor të vitit 1989 do t’i printe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), formacionit të parë politik demokratik që lindte në trojet shqiptare pas shumë dekadash sundimi komunist.

Nuk e zgjodhi ai këtë rol të prijësit, por i ra hise. Nuk e paraqiti kandidaturën, por ia paraqitën kolegët e tij intelektualë ditën kur u themelua LDK-ja, më 23 dhjetor 1989. Kishte rezerva nëse do ta merrte, por nuk e refuzoi këtë rol.

Dy vjet e gjysmë më vonë, në zgjedhjet e para nacionale, parlamentare e presidenciale, Ibrahim Rugova u zgjodh me votë popullore Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa u njoh botërisht si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, mbasi Republika nuk njihej. U bë kryetari e diplomati i parë, burrështetasi i Kosovës kur vendi ynë nuk njihej si shtet në rrafsh ndërkombëtar.

Ibrahim Rugova u bë figurë nacionale në vitet e nëntëdhjeta, por kësaj rruge ishte nisur vite më parë. Në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1987, në ato dy vjet e sa, Shoqata dhe ai vetë bënin punë letrare e politike në mbrojtje të shqiptarëve të cilët prej vitit 1981, nga Ngjarjet e atij viti, ishin vënë në shënjestër të Serbisë që donte të përmbyste rendin kushtetues federativ të vendosur më 1974, që e bënte Kosovën njësi gati-Republikë në Federatën Jugosllave.
Serbëve u dukej statusi i shqiptarëve dhe i Kosovës përtej mase i lartë. Shqiptarëve u dukej i mangët për sa kohë që Kosova nuk ishte plotësisht e barabartë, Republikë, jashtë orbitës së Serbisë.

Shkrimtari Ibrahim Rugova, studiues letërsie dhe humanist, si intelektual publik (‘i angazhuar’ me gjuhë më ideologjike) u bë zëri autentik shqiptar i viteve të tetëdhjeta që dijti e guxoi të shqiptonte ndërgjegjen kombëtare e demokratike të popullit të vet.

Ibrahim Rugova fitoi besimin e qytetarëve të vet por edhe të botës demokratike gjatë viteve të nëntëdhjeta. Kjo botë i doli në ndihmë Kosovës në orët e liga të luftës, të vitit të tragjedisë e të mrekullisë 1999, por edhe më vonë, gjatë rimëkëmbjes në liri, për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, për konsolidimin e sovranitetit të brendshëm e të jashtëm të Kosovës.

Rugova vdiq më 21 janar 2006, pak muaj mbasi kishte nisur procesi ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar që u përmbyll me shpallje të pavarësisë.

Dijetari e pushtetari filozof Ibrahim Rugova kujtohet sot, 30 vjet mbas ngjitjes së tij në skenën kombëtare, 14 vjet mbas shkuarjes në amshim, si burrështetasi i parë i Kosovës, njeriu më i madh i këtij vendi.

Trashëgimia e Ibrahim Rugovës, Atit Themeltar të shtetit të pavarur të Kosovës, duhet të vendoset përgjithmonë në themelet e shoqërisë e të Republikës sonë.