Ibrahimovic shpëton United në fund, City bën detyrën me Watford, Chelsea ok!

14.12.2016 23:05:50

Fitore për dy ekipet e Mançesterit. Qytetarët e Guardiolas kanë mundur pa shumë probleme Watford me rezultatin 2:0 me golat e Zabaleta në pjesën e parë dhe David Silva në të dytën. Me këtë fitore City mban hapin e Chelsea që fitoi kundër Sunderland.

Nga krahu tjetër United kishte udhëtuar në Crystal Palace dhe ka fituar me vështirësi në fund të takimit. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh me anë të Pogba por McArthur barazon rezultatin për vendasit. Pas shumë përpjekjeve vjen edhe goli i fitores me shpëtimtarin Ibrahimovic. Një fitore jetësore për djemtë e Jose Mourinho.

Chelsea arriti fitoren e 10-të radhazi në Premier League duke ruajtur dhe kreun e klasifikimit të kampionatit anglez. Skuadra e Antonio Conte triumfoi në shtëpinë e “Black Cats” të Sunderland me rezultatin 0-1, që duket i ngushtë për “Blutë e Londrës”, por që erdhi pas një ndeshje të dominuar, e cila mund të kishte prodhuar dhe më shumë gola për miqtë. Cesc Fabregas ishte lojtari që zgjidhi ndeshjen me golin e tij të minutës së 40-të.

Sunderland mundësinë më të mirë e pati në të 47-n me Januzajn por ky i fundit gaboi përballë Courtois. Në krahun tjetër për Chelsean mund të kishin shënuar si Willian në të 52-tën ashtu dhe Diego Costa në të 54-trën, por të dy nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë. Në fund u nevojit dhe një super ndërhyrje e Courtois për të shmangur golin e barazimit. U mbyll 0-1 për Chelsean që mori fitoren e 10-të radhazi në kampionat, duke u shkëputur akoma më shumë nga ndjekësit në krye të tabelës së klasifikimit.