ICMP premton mbështetje për zbardhjen e fatit të pagjeturve

06.03.2019 15:27:35

Kosova ka akredituar sot Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, përmes një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Kështu u bë e ditur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë të Kosovës dhe kësaj organizate.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se me këtë marrëveshje të dyja palët marrin obligime për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Kosova i ka dhënë akreditim organizatës në Kosovë. Më herët ua dhamë akreditimin. Sot nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi, ku kemi marrë barrën për zbardhjen për fatin e të pagjeturve. Kjo është peshë edhe e procesit të Berlinit dhe më tutje”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), Ketrin Bomberger, tha se janë të interesuar dhe se do të përkushtohen ta ndihmojnë Kosovën në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndryshe, edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave.