Identifikohen dhe intervistohen dëshmitarët e rastit të vdekjes së personit në rrugë, pritet vendimi prokurorisë (Video)

02.07.2017 13:48:41

Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit, ka identifikuar të gjithë dëshmitarët okularë të rastit të djeshëm, ku një person i të 60-ve u alivanos në rrugë e më pas ndërroi jetë.

Sipas Ismet Hashanit, zëdhënës i policisë në Rajonin e  Gjilanit, janë intervistuar personat të  cilët në pamjet, që qarkullojnë në internet, shihen duke mos i ofruar ndihmë të moshuarit të alivanosur.

Duke qenë se mosdhënia e ndihmës së parë konsiderohet vepër penale, ata në deklarimet e tyre para policisë kanë pohuar se kanë telefonuar numrin e rasteve emergjente, transmeton Klan Kosova.

Në prononcimin e tij për Klan Kosova, Hashani tha se tashmë ky rast është duke u procesuar nga Prokuroria, ku do të merret vendimi për dëshmitarët nëse ka të bëjë me vepër penale për mosdhënie të mjaftueshme të ndihmës së parë, apo jo.

Në pamjet e kamerave të një lokali që qarkullojnë nëpër rrjete sociale, shihet burri tek ka zbritur nga një motokultivator dhe pak metra më larg është alivanosur, njofton Klan Kosova.

Në videon tre minutshe të gjithë kalimtarët refuzojnë të ndalen që ta ndihmojnë të moshuarin.

Për shkak të pamjes së rëndë, për hir të familjes së të nderit dhe shikuesve është shkëputur momenti i rrëzimit të të moshuarit.