IFFHS: Simeone, trajneri më i mirë i vitit

27.12.2016 12:13:17

Është Diego Simeone trajneri më i mirë i vitit 2016, të paktën sipas Institutit prestigjoz të Historisë dhe Statistikave të Futbollit. Edhe pse gjatë 12 muajve të fundit, trajneri argjentinas nuk ka arritur të fitojë asgjë nën drejtimin e Atletico Madrid, ai ka bërë një punë kolosale me “Los Colchoneros” duke grumbulluar 113 pikë, më shumë se askush tjetër. Vendi i dytë i këtij klasifikimi shkon për kundërshtarin e tij, trajnerin e Realit të Madridit, Zinedine Zidane me 108 pikë.

Mesa duket për francezin nuk mjaftoi ai sukses në finalen e UEFA Champions League pikërisht përballë Simeones. As mrekullia e Claudio Ranierit duket se nuk ka ndikuar në votimin e IFFHS që e klasifikon trajnerin italian në vendin e tretë. Drejtuesi i stolit të Leicester regjistroi një arritje të pabesueshme duke e shpallur skuadrën kampione të Anglisë por në këtë klasifikim mban vetëm shkallën e fundit të podiumit me 86 pikë.

Ndërkohë, Pep Guardiola që është edhe një nga trajnerët më të paguar të botës nuk ka arritur të ngjitet më shumë se vendi i katërt falë titullit të fituar me Bayern Munechen, ndërsa dhjetëshja e parë plotësohet me Unai Emery, Luis Enrique, Jurgen Klopp, Maurizio Pochetino, Massimiliano Allegri dhe trajnerin e afrikano jugorëve të Mamelodi Sundoëns, Pitso Mosimane.