Igor Sholtes: Shfuqizimi i Gjykatës Speciale izolon Kosovën

17.01.2018 16:38:13

Igor Sholtes, raportues i posaçëm në Parlamentin Evropian për Kosovën në një intervistë për Deutche Wellen ka kërkuar që të mos shfuqizohet ligi për Gjykatën Speciale dhe të miratohet marrëveshja për demarkacionin.

Ai ka thënë se misioni i BE në Kosovë dhe shtetet e Kuintit kanë shprehur pakënaqësi të thellë me idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte.

“Fakt është që një vendim i tillë do të paraqiste një hap të madh mbrapa për Kosovën. Ky vendim do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e sundimit të ligjit dhe do të lëkundte kredibilitetin e Kosovës si një partner të barabartë me BE. Mendoj se një vendim i tillë do të rrezikonte shumë përparimin që është arritur në Kosovë në disa vitet e fundit. Mendoj se edhe ky kapitull i të kaluarës duhet të përmbyllet. Ndaj edhe njëherë u bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe liderëve të partive në Kosovë që të  mos lejojnë miratimin e një vendimi të tillë, sepse kjo do të thoshte që Kosova po shkon drejt izolimit dhe jo bashkëpunimit”, tha Sholtes.

Ai ka thënë se disa anëtarë të Kuintit e kanë bërë të qartë se një vendim i tillë do të kishte pasoja ekstreme të dëmshme për Kosovën dhe do të rrezikonte punën e përbashkët që është bërë vitet e fundit.

“Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kapituj ku Kosova ende duhet të punojë shumë. Ndaj të gjitha aktivitetet e këtilla do të ishin shenja shumë të këqija për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare. Ndaj mendoj se do të kishte pasoja për negociatat e mëtutjeshme të BE me Kosovën”, tha ai.

Më tej, Sholtes ka folur edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Kapitulli i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është shumë me rëndësi. Mendoj se kjo zgjon më shumë vëmendje dhe pritet me padurim nga qytetarët e Kosovës, sepse liberalizimi i vizave është hapi më i rëndësishëm për qytetarët, në rrugën e integrimeve evropiane. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshme se çfarë përgjegjësie kanë mbi vete, sepse bllokimi i kësaj çështjeje rrezikon procesin e liberalizimit. Demarkacioni i kufirit është me rëndësi sepse në territorin e ish-Jugosllavisë ka shumë kufij kontestues ku ende nuk është caktuar linja kufitare. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet sa më parë në rrugën drejt BE, në mënyrë që më pas të mos ketë probleme”, tha ai.

Se a do të ketë liberalizim të vizave për shtetasit e Kosovës, nëse nuk miratohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, raportuesi në Parlamentin Evropian për Kosovën tha “Jo. Mendoj se ky është një obligim që e kanë nënshkruar autoritetet e Kosovës dhe ato të BE. Shpresoj se kjo do të ndodhë sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave”.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Këtu më parë duhet të bisedohet për zbatimin e rezultateve të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshjet nuk janë zbatuar në masën e kërkuar, si p.sh. kur bëhet fjalë për çështjet energjetike apo asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këto janë tema që duhet të zgjidhen. Ndaj duhet të shohim se cilat do të jenë sugjerimet e Komisionit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog është një prej çështjeve më të rëndësishme”.