IJF-ja është në dijeni se Rusia s’do që Kosova të garojë me simbole shtetërore, po punon rreth kësaj çështjeje

08.12.2017 14:43:19

Trajneri kosovar i xhudos, Driton Kuka, njoftoi sot përmes një postimi në llogarinë e vet zyrtare në Facebook se Kosova ka marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Jashtme e Rusisë se nuk do të lejohet të marrë pjesë si shtet në këtë garë, ku ndeshen 16 më të mirët në çdo kategori, shkruan Express.

E kontaktuar nga Express, një zyrtar nga Zyra e Presidentit Vizer Marius, ka thënë se presidenti është duke punuar për këtë çështje, por nuk do të mundë të dalë me ndonjë qëndrim deri në fillim të javës së ardhshme, për shkak se momentalisht nuk ndodhet në Evropë.

“E kemi marrë këtë informatë për momentalisht nuk mund ta konfirmojmë apo mohojmë këtë. Presidenti nuk është në Budapest dhe mundësia e parë do të jetë javën e ardhshme, të hënën, ai do të kthehet në Budapest dhe do të deklarohemi për këtë çështje por për momenti nuk kemi koment” ka thënë ky zyrtar.

Ai ka shtuar: “Është e qartë se presidenti po punon në këtë çështje, por nuk mund të them nëse është pozitive apo negative sepse varet nga diskutimi [që do të kemi]”.

Rusia i ka kërkuar Kosovës që xhudistet e saj të garojnë me flamur të Federatës Botërore të Xhudos.

Por, Kuka ka theksuar se Federata e Xhudos e Kosovës nuk do t’i pranojë kushtet e Rusisë.

Kosova pritej të garonte me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, të cilat kanë shkëlqyer këtë vit duke rrëmbyer edhe medalje të arta në Grand Prix në Hagë