Ilaçi kundër koronavirusit do të vijë nga Kuba?

07.04.2020 11:33:29

Në Kinë, medikamenti kuban INFrec i ka ndihmuar pacientëve të infektuar nga koronavirusi, thotë DW. Sipërmarrësi Georg Scheffer do që ta importojë atë edhe në Gjermani, por nuk lejohet. Fokusi i tij është ndërkohë Spanja.

“Ne e kemi ndjekur që në fillim me shqetësim zhvillimin dhe përhapjen e virusit”, thotë Scheffer, drejtor ekzekutiv dhe pronar i Profümed, një sipërmarrje e nivelit të mesëm me rreth 150 të punësuar dhe dy qendra prodhimi në Saksoni dhe në Austri. “Shpejt na u bë e qartë, që duhet bërë diçka, për të shpëtuar jetë.” Meqënëse një vaksinë nuk mund të prodhohet tani ose të paktën jo mjaftueshëm, Scheffer, i cili prej vitesh ka kontakte të mira biznesi me Kubën, do që të importojë medikamentin kuban Interferon alfa 2B (INFrec) për rreth 1000 pacientë në Gjermani.

Ky medikament forcon sistemin e imunitetit dhe normalisht përdoret kundër etheve tropikale si dhe Hepatitit B dhe C. Në Kina ndër të tjera është përdorur edhe për trajtimin e pacientëve me Covid 19 dhe ka pasur rezultate të mira.

“Çdo jetë, që mund të shpëtohet nga përdorimi i Interferon, ka vlerë, ndaj ne po përpiqemi të marrim licencën e importit. Nuk duam që në Gjermani të krijohet një Itali e dytë”, thotë Scheffer. Sipërmarrja e tij Profümed prodhon produkte mjekësore me bazë qelizore si tamponë, kompresa dhe shtresa krevatesh. Sipërmarrja kubaneze BioCubaFarma i ka siguruar firmës Profümed, se do t’i përgatisë medikamentin INFrec për 500 deri në 1000 pacientë. Koha e furnizimit kërkon deri në 25 ditë.

Për të realizuar porosinë, nevojitet licenca për importin nga autoriteti rregullator federal për importet në Gjermani. Kjo procedurë është e parashikuar edhe në ligjin gjerman për produktet mjekësore (AMG).Qysh nga mesi i marsit Scheffer vendosi kontaktin me mnistri të ndryshme dhe autoritetet e landeve. Nga Ministria e Ekonomisë i erdhi njoftimi, se e-mailin e tij ia kanë kaluar Ministrisë së Shëndetësisë. Scheffer vet i ka shkruar gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë.

Por ende nuk ka marrë përgjigje.Një zëdhënës i Institutit për Medikamentet dhe Produktet Mjekësore (BfArM) në Bon pyetjes së DW i përgjigjet, “parakusht për nxjerrjen në shitje të një medikamenti është licenca nga autoritete përkatëse”.

Për këtë duhet të paraqiten dokumentat nga një sipërmarrje farmaceutike, përmes së cilës të provohet siguria e cilësisë së medikamentit”. Aktualisht nuk mund të bëhet deklarim për efektin e asnjë medikamenti ndaj COVID-19. Por edhe në tregun gjerman janë hedhur medikamente që përmbajnë përbërësin e Interferon alfa.