Ilir Meta largohet përfundimisht nga LSI-ja

20.07.2017 22:59:21

Vetëm pak ditë nga betimi i tij si president i ri i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, largohet përfundimisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Mësohet se mbrëmjen e sotme, ish-kreu i LSI-së Meta ka vizituar për herë të fundit selinë e partisë të cilën ai themeloi në vitin 2004.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Brahimllari ka konfirmuar për mediat se ish-themeluesit dhe ish-kryetari Ilir Meta, e ka dorëzuar teserën e LSI-së, për të paktën 5 vitet e ardhshme, kohë në të cilën do të mbajë postin e presidentit, transmeton Mapo.

Po ashtu, bëhet e ditur se Meta ka takuar të gjithë të pranishmit në seli, duke u uruar atyre suksese në nismën që kanë nisur.

Ashtu siç edhe ishte përcaktuar, Meta hoqi dorë nga LSI-ja, pasi ditën e hënë do të bëhet si president i Shqipërisë.