Ilir Meta përkujton ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova : Shembull frymëzimi! Ëndrra e tij vazhdon

21.01.2021 10:34:02

Përkujtohet sot 15 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore..

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka kujtuar Ibrahim Rugovën në 15-vjetorin e vdekjes, teksa thotë se ëndrra e Presidentit historik të Kosovës vazhdon.

“Vizioni im është, që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO, si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA.” – IBRAHIM RUGOVA

Angazhimi i Tij jetësor për zgjimin kombëtar, vizioni euroatlantik për Kosovën Republikë, për paqen, lirinë, stabilitetin, demokracinë dhe bashkëjetesën në rajon, mbeten shembuj të patundur frymëzimi për t’i shërbyer me përkushtim, dinjitet dhe krenari çështjes shqiptare.

Ëndrra e Presidentit Rugova vazhdon!“, shkruan Meta.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.